Personi që ekzekutoi biznesmenin Edmond Mëhalla mbrëmjen e 30 nëntorit në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan dyshohet të jetë shtetas i huaj.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se ky dyshim ka lindur pas analizimit të të dhënave dhe provave të administruara deri në këtë fazë të hetimit.

Edhe pse janë sekuestruar prova materiale, informacione të shumta dhe pamje filmike, identifikimi i ekzekutorit nuk është arritur ende, ndërsa pistat hetimore mbeten të hapura.

Një tjetër zhvillim në këtë ngjarje është arrestimi i Nevzat Spahos, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit.

29-vjeçari, me origjinë nga Prrenjasi, ka të shkuar kriminale dhe rezulton i dënuar më parë për tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes dhe vjedhje.

Burime nga hetimi thanë se gjatë marrjes në pyetje, Spaho ka mohuar të ketë dijeni për personin që kreu atentatin, por ka deklaruar se automjeti i përdorur në vrasje i është dorëzuar disa personave nga Lezha, nga ish-ortaku i viktimës, Xhino Aga.

Aga është arrestuar së bashku me rojen e karburantit ku ndodhi ekzekutimi, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë Marselo Arani dhe Armando Kola, të dyshuar si bashkëautorë në ngjarjen e së dielës së kaluar. / EuronewsAlbania