Pretendohet se Jon Hoti, përmes rrjeteve sociale më 13.11.2024 kishte aranzhuar një takim me Rexhep e Albison Shlivova në një lokal në qendër të Klinës.

E gjatë këtij takimi, tutje dosja e prokurorisë tregon se 19 vjeçari Jon Hoti në mënyrë të fshehtë dyshohet se kishte nxjerrë një armë zjarri dhe ishte kthyer nga dy viktimat e kishte shtënë në drejtim të tyre duke u shkaktuar plagë e që për pasojë Rexhep e Albison Shlivova nuk kishin arritur t’u shpëtonin plagëve që kishin marrë.

Kështu përshkruhet se ndodhi vrasja e dyfishtë në Klinë por që ende deri më tani nuk është zbuluar saktë motivi që shtyu të riun tashmë të dyshuarin kryesor, Jon Hoti të kryente veprën penale të vrasjes së rëndë. Gjatë të enjtes (14.11.2024) ekipe policore janë të vendosura në afërsi të shtëpive të viktimave dhe të dyshuarit për shkak se raportet janë acaruar mes familjeve. Këtë e mbështet edhe një deklaratë e njërit nga familjarët e viktimave që dyshohet se e kishte dhënë në spitalin regjional të Pejës e që kjo u evidentua edhe në një raport të një zyrtari policor i cili ishte aty. “Shteti ka dështuar komplet, s’ka lidhje që ma vranë djalin, se unë kam me nxjerrë gjakun pa u bo sabahu se mi kanë bo dy xhenaze”, përmendet se ka thënë familjari i viktimave gjatë kohës sa ishte në spital, raporton Kalllxo.com.