6 qershor 2015 – Detaje të tjera shokuese kanë dalë për vrasjen e trefishtë të ndodhur në mesnatë në Thumanë të Krujës.
Mësohet se autorët e familjes Kora, që janë shpallur në kërkim, i kanë ekzekutuar në portën e shtëpisë viktimat e familjes Caka, një nga një pa pasur mëshirë.
Në këtë masakër i pari është qëlluar Arben Ceku, në oborrin e shtëpisë, më pas ka dalë babai Fran Ceku për të parë se çfarë po ndodhte dhe u ekzekutua në vend. Pas krismave të dyta ka dalë edhe nipi i familjes 20-vjeçari Eno Rama, i cili gjithashtu u qëllua nga autorët.
E fundit që ka dalë, 66-vjeçarja Lucie Ceku duke bërtitur, edhe mbi të u lëshuan plumba vrasës, por ajo ka mbijetuar dhe është duke luftuar për jetën në Spitalin Ushtarak.
Kjo ngjarje e rëndë, i ka fillesat rreth një muaj më parë, ku dy prej vëllezërve Kora kanë rrahur një shofer, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, shok me viktimën Arben Ceku.
Ky i fundit, i kthyer vetëm një javë më parë nga Italia, ka takuar në një lokal anëtarët e familjes Kora për të sqaruar ngjarjen, por debati ka degjeneruar në një konflikt fizik mes tyre dhe pas kësaj palët janë ndarë.
Por ndërsa Arben Ceku është bashkuar me familjen e tij në banesë, 4 anëtarët e familjes Kora kanë marrë armët e zjarrit dhe kanë shkuar në banesën e Arben Cekut duke e kërkuar të dalë jashtë për sqarim. Sapo ky i fundit ka dalë jashtë, filloi ekzekutimi për të gjithë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/