Dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën në një aksident të rëndë të ndodhur mbrëmjen e të dielës në autostradën Levan-Tepelenë, pranë fshatit Varibob.

Viktimë kanë mbetur shtetasit Fetah Shahaj, 64 vjeç dhe Durim Lamaj, 50 vjeç, ndërsa të plagosurit janë identifikuar si; Haxhi Lamaj, Menyre Lamaj, Agron Cocalli, Jorgo Meraj dhe Sokol Dhima.

Në këtë aksident janë përfshirë dy makina dhe një motor. Fillimisht një mjet është përplasur me një motor, ndërsa më pas në aksident janë përfshirë edhe pasagjerët e një autobusi të ndaluar.

Mësohet se pasagjerët e autobusit kanë zbritur për të parë aksidentin e sapondodhur, por në atë moment një tjetër automjet ka marrë përpara të paktën 5 persona duke rënduar kështu bilancin e të plagosurve.

Menjëherë pas incidentit të dytë, policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit që përplasi pasagjerët e autobusit.

Gjendja shëndetësore e të plagosurve, të cilat janë transportuar drejt spitalit të Fierit është e komplikuar, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.