Kur po i afrohemi 3-vjetorit të tërmetit shkatërrimtar që goditi Durrësin, në lagjen e re të Spitallës po vijojnë punimet për ndërtimin e kompleksit të pallateve për të pastrehët.
Përmes një kërkese për informacion me të cilën “DurrësLajm” ju drejtua pushtetit vendor mësojmë se apartamentet e para në këtë sit rindërtimi do të jenë gati për qytetarët në muajin dhjetor.
Sipas bashkisë, në kantierin e rindërtimit po punohet në 7 lotet e tij.
Janë gjithsej 15 pallate me 156 apartamente, pjesë e lotit të parë që janë drejt përfundimit. Aktualisht ato janë në fazë rifiniturash,
Tre lotet e tjera janë në fazën konstruksion betonarme dhe ndërtim murature. Bëhet fjalë për 40 godina dhe 444 apartamente banimi, ndërsa në 3 lotet e fundit punimet janë në fazën konstruksion themeli plus strukturë. Janë 30 godina me 396 apartamente, ndërkohë që i gjithë siti i ri do të ketë 85 pallate të reja 4 katëshe me 996 apartamente gjithsej.
Dorëzimi i apartamenteve të reja tek të pastrehët e tërmetit do të bëhet me faza, me shorte publik dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe rregulloren e miratuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak Durrës nr. 138, datë 28.10.2021, ’’Për miratimin e Rregullores për procedurat e zhvillimit të shorteut manual në bashkinë Durrës në kuadër të rindërtimit’’ (faksimile në fund të shkrimit).
Javët e fundit, dhjetëra qytetarë kanë protestuar para bashkisë Durrës, pasi pretendojnë se nga një komunikim verbal me autoritetet vendore kanë mësuar se pallatet e tyre nuk do të ndërtohen në të njëjtin vend, por ata do të sistemohen në apartamentet e reja në Spitallë.
Për fatin e strehimit të këtyre qytetarëve pritet një vendimmarrje e Këshillit të Ministrave nëse atyre do t’u rindërtohet pallati në po të njëjtin vend apo do të sistemohen në sitin e ri në Spitallë.
Kompleksi me rreth 1000 apartamente pritet të përfundojë pranverën e vitit të ardhshëm.
“Qëllimi është që punimet të përfundojnë brenda pranverës së vitit 2023”,– bën të ditur bashkia në përgjigjen e saj zyrtare.
Në këtë zonë janë duke u kryer ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, ndërsa deklarohet se siti i ri do të jetë një zonë urbane model me njësi shërbimi, park, fushë sportive, hapësira parkimi, qendra social- kulturore, qendër shëndetësore dhe arsimore etj.
M.B.





