Detaje të reja zbulohen nga policia e Durrësit pas ngjarjes së rëndë të regjistruar mesditën e së dielës në lagjen nr.14, në Shkozet.

Mësohet se bashkëshortja e 53-vjeçarit Agron Jaupaj, që u ngjit në taracën e shtëpisë së tij për t’u hedhur, ka tentuar dje t’i japë fund jetës.

Shtetasja N. Jaupaj, 59-vjeçare ka tentuar të vetëvaret, bën të ditur policia.

Dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, duket se e ka shtyrë 59-vjeçaren të ndërmerrte aktin ekstrem.

Policia njofton se ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për t’ia paraqitur gjykatës, për pajisjen me urdhër mbrojtje të gruas së dhunuar.

Njëkohësisht, policia ka nisur procedimin penal ndaj 53-vjeçarit Jaupaj, i akuzuar për dhunë në familje.

Një ditë më parë, Agroni, tentoi të kryente vetëvrasje, por ndërhyrja në kohë e djalit shmangu më të keqen.

Ngjarja e rëndë u ndoq nga shumë banorë të zonës, që pohuan pë DurrësLajm se 53-vjeçari njihet si person i dhunshëm në familje dhe konsumues alkooli.

Njoftimi i policisë Durrës:

Më datë 04.11.2018 u referuan materialet në Prokurorinë  pranë  Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin A.J., vjeç 53, banues në Durrës, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes N.J., vjeçe 59, e cila ka tentuar të vetëvaret. Neni130/a/1, 99 dhe 22 të Kodit Penal.

Më datë 04.11.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, për shtetasen N.J., vjeçe 59, banues në Durrës, pasi bashkëshorti A.J., vjeç 53, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.