Detaje të reja janë bërë me dije nga policia e Durrësit pë kamionin e kapur gjatë mbrëmjes së djeshme me drogë në portin e Durrësit. Pas peshimit ka rezultuar se në kamionin e ngarkur me kastraveca ishte fshehur 705 kg kanabis. 

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me  Efektivet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës së tyre për parandalimin e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Portit të Durrësit, mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë goditur një tjetër rast.

Është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi:

• Kiril Filev 32 vjeç, banues në Maqedoni.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim tre shtetas, ku për arsye hetimi nuk japim detaje.

Më datë 06.06.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin tip kamion me drejtues shtetasin maqedonas Kiril Filev ,pas dyshimeve nga Specialistët se në brendësi të tij kishte lëndë narkotike, për verifikim më të hollësishëm u kontrollua në Skaner.

Në përfundim u konkludua  një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa.

Kamioni ishte I ngarkuar me kuti të mbushura me kastraveca dhe në mes të kastravecave kishte qese të mbushura me lëndë narkotike ku pas peshimit rezultoi në total një sasi rreth  705 kg  lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" në bashkëpunim, e mbetur në tentativë parashikuar në nenin 283/ a/ 2,  22 të Kodit Penal.