Detaje të reja kanë dalë në lidhje me hetimet, që çuan në arrestimin e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Fredi Beleri, teksa ky i fundit pritet që ditën e sotme të njihet me masën e sigurisë.

Sipas gazetares Klodiana Lala i infiltruari i policisë i dorëzoi Belerit një listë me 15 votues. Beleri i ka kontaktuar vetë në telefon 7 nga 15 emrat personat. Po ashtu, ka dyshime se të infiltruarit iu dhanë 40 mijë lekë të reja për 8 vota.

Mes të tjerash Lala tha se pasi ka verifikuar listën, Beleri i ka kërkuar të infiltruarit që të takojë Pandeli Kokoveshin, ndërsa thuhet se bashkëpunëtori i kandidatit të ‘BF’, do t’i jepte atij 300 euro.

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje. Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

Ndërkaq, Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik në mesjavë edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës.