Nënë e bir, Rozeta Dobi dhe Havier Dobi kanë vjedhur më shumë se gjysmë milionë euro.

Ditën e sotme Havier Dobi është shfajësuar para hetuesve duke i hedhur fajin nënës së tij ndërsa ka dyshime se Rozeta Dobi mund të ketë grabitur dhe persona të tjerë pasi edhe në media është aluduar se ndaj saj ka pasur 15 kallëzime në polici për vjedhje.

Gjatë pasdites së djeshme, 5 deri në 6 persona janë paraqitur në komisariatin e policisë ku kanë pranuar se Rozeta Dobi u ka vjedhur sende me vlerë por ende nuk ka informacion për origjinën e parave, raporton “tvKlan”. Persona të tjerë të cilët e kanë punësuar Rozeta Dobin si sanitare nuk kanë dhënë asnjë detaj për policinë.

Hetime po kryhen dhe ndaj Alda Klosit për të bërë verifikimin ligjor të të ardhurave të saj pasi ajo në 2017-ën ka qenë drejtoreshë koncesionesh. Nëse parave të sekuestruara nuk u gjendet pronari i ligjshëm atëherë ato kalojnë në favor të shtetit.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi ditën e shtunë, më 7 janar kur nënë e bir u arrestuan për vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë ku Rozeta Dobi ishte punonjëse e mirëmbajtjes. Pas kontrolleve të mëtejshme në banesën e tyre u gjetën dhe para të tjera në tubin e aspirimit. Mësohet se pronarja e shtëpisë Alda Klosi ka qenë jashtë vendit dhe para se të largohej i ka dorëzuar një kopje të çelësit pastrueses, e cila më pas bashkë me djalin e saj ka ndërhyrë në kasafortë.