Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e biznesmenit Christos Gialia, i cili u ekzekutua në makinën e tij me breshëri plumbash.
Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet e policisë janë mosmarrëveshjet që viktima ka pasur me partneren e tij, e cila ishte shqiptare dhe shkak për këtë ka qenë zhdukja e disa milionë eurove.
Në hetim, për identifikimin dhe kapjen e aitorëve është marrë edhe dëshmia e një personi, i cili ka qenë mik me biznesmenin grek dhe ditën që ky i fundit u vra, ata kanë qenë së bashku.
“Unë dhe Kristos e filluam biznesin së bashku. Shkonim në shtëpinë e tij për t’u ulur. U vonova pak, por e ndiqja në një distancë rreth 100 metra. Në një moment humba shikimin për shkak të rrugës dhe kthesave. Kam dëgjuar disa të shtëna. Kur mbërrita në rrugën Agia Aikaterini, pashë makinën e Kristos në flakë. Pranë tij pashë një motoçikletë me motor të madh me dy persona duke u larguar me shpejtësi të madhe. Nga distanca pashë dy persona me motor që po largoheshin. Por, kuptoni, nuk arrita t’ua shoh as fytyrat, as llojin e makinës, as numrin nga targat. Por më dukej se motoçikleta ishte një model i vjetër”, deklaroi shoku i viktimës për policinë.
Mediat greke shkruajnë se autorët donin të ishin absolutisht të sigurt se 59-vjeçari do të vdiste dhe nuk u ndalën tek breshëria me kallashnikovin por i vunë flakën edhe makinës së biznesmenit gjatë kohës që ishte brenda.
Oficerët që po hetojnë vrasjen do të presin rezultatet e ekzaminimit të kallashnikovit të gjetur në makinë, ndonëse flakët dhe uji i derdhur nga Shërbimi Zjarrfikës ka shumë të ngjarë të mos kenë lënë asnjë provë pas.