Shtëpia e familjes Kuka ku ndodhi tragjedia e rëndë është në zonën periferike të Durrësit, në Spitallë. Në një shtëpi një katëshe, në zonën kodrinore të qytetit, 37-vjeçari Ardian Kuka vrau me thikë bashkëshorten e tij, Hazbije, 36 vjeçe. 

Çifti ishte konfliktuar me tona të larta dhe nga të dhënat paraprake dyshohet që në shtëpi ka qenë nëna me djalin 10 vjeç. Burrë e grua kanë bërë sherr e më pas djali dëshmitar i skenës ka shkuar për të kërkuar ndihmë tek dajat. Kur kanë ardhur e kanë gjetur gruan me disa plagë me thikë, rreth 5-6, njëra pranë zemrës.

Ata e kanë dërguar menjëherë në spital, ndërsa bashkëshorti i saj që punon si shofer ishte larguar. Ai që e ka përjetuar më shumë këtë tragjedi është djali 10-vjeçar i cili ka parë gjithë skenën e sherrit në shtëpi dhe më pas nënën e mbytur në gjak. Me lotët që nuk i pushonin ai qante e bërtiste në spital duke kërkuar nënën e tij. Më pas djali i mitur është marrë nga tezja e tij dhe është larguar nga spitali.

Mjekët kanë bërë çmos ta mbanin në jetë gruan e re por nuk ia kanë dalë për shkak se kishte humbur shumë gjak. Dyshohet se krimi ka ndodhur për motive xhelozie. Policia po kreh të gjithë zonën për të arrestuar burrin vrasës.