Detaje të reja kanë dalë në dritë për aksionin anti-drogë të zhvilluar mbrëmjen e sotme në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet. Në një rrugicë të ngushtë në këtë zonë ka patur shkëmbim zjarri mes policisë dhe grupit kriminal.
Fillimisht policia i ka bërë shenjë të ndalojë një makine, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit dhe ka tentuar të largohet.
Vetëm pak çaste më pas ai është ndaluar nga policia, pasi makina e tij është përplasur me atë të agjentëve të anti-drogës.
Mësohet se nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por dyshohet se është person me precedentë penale për trafik lëndësh narkotike.
I plagosuri është dërguar në spitalin e Traumës në kryeqytet ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e një sasie lënde narkotike. Vijon aksioni anti-drogë i policisë.
NJOFTIMI I POLICISE
Seksioni për hetimin e narkotikëve ka disponuar në rrugë operative informacion se shtetasi B.P, ushtronte aktivitet të kundraligjshëm të shitjes së lëndës narkotike të llojit kokainë në zonën e Don Boskos.
Më datë 01.08.2017 është organizuar puna për kapjen në flagrancë e shtetasit të dyshuar.
Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative është konstatuar se shtetasi B. P. po lëvizte me automjetin tip Citroen, së bashku me shtetasin A.M.,në zonën e Don Boskos.
Nga ana e shërbimeve i është bërë shenjë të ndalonte. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur shenjës të ndalimit, por ka levizur me shpejtësi duke bere disa manovra te rrezikshme te cilat rrezikuan jetën e oficerëve të policisë duke përplasur nje automjet te ndërhyrjes.
Gjithashtu në këtë moment me qëllim parandalimin e largimit të automjetit dhe pas thirrjes së punonjesve të policisë për të ndaluar fillimisht, është paralajmëruar me qitje në ajër dhe më pas në drejtim të gomave te automjetit, ku si pasojë ka ngelur i plagosur shtetasi B P, i cili u transportua në spital jashtë rreziku për jetën.
Pas përplasjes është bërë i mundur ndalimi i shtetasit B.P, 27 vjec.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Citroen, në pjesën e këmbëve të pasagjerit eshte gjetur dhe sekuestruar ne cilesinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme e lendës së dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Për pasojë është kryer kontrolli i banesës sç shtetasit A.M. ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme lende e dyshuar si narkotike e llojit kokainë, një peshore elektronike si dhe nje sasi kartmonedhash në valutë euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi B.P, është dëmtuar si pasojë e përplasjes, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
U arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit:
B.P dhe A.M, ndaj të cilëve do referohen materialet në Prokurori për veprat penale “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” parashikuar nga nenet 283/ 2 dhe 242 i Kodit Penal.





