Fondi i Zhvillimit Shqiptar [FZhSh] njoftoi më 15 mars 2019 se ka përfunduar procedura e tenderimit të kontratës së investimit për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia” Durrës" me një fond limit prej rreth 363 milionë lekë të rinj (2,8 milionë euro). FZhSh-ja thotë se kohëzgjatja e realizimit është 18 muaj nga data e fillimit te punimeve. Me sa duket, ky investim do të përfundojë në fund të vitit 2020.

Grupi i projektimit përbëhet nga inxh. Ndërtimi Gëzim Islami, ark. Elton Çarçani, inxh. topograf Kujtim Canameti, inxh. gjeolog Leonard Kazanxhiu, inxh. elektrik Hajdar Kurti, ark.Barbara Agnoletto, ark. Francesco Spanò.

Një raport i ri me ujin “të futesh në det”

Shëtitorja përgjatë detit vjen lehtësisht e ngritur dhe e hapur drejt ujit me shembjen e murit ekzistues. Një dizajn unik karakterizon rrugën, që të lejon të afrohesh në det në mënyrë të lirë dhe të vazhdueshme. Shtrimi me kubikë ngjyrë gri dhe të bardhë e bën shëtitoren menjëherë të identifikueshme. Vazhdimi i shëtitores ndërpritet nga rrugët, të cilat vijnë nga qyteti si dhe nga hapësira më të mëdha, të pasuara nga prania e stolave dhe pemëve: “sheshet në det”. Sheshet shtrihen drejt ujit duke lejuar të arrish pothuajse brenda, duke ripërcaktuar plotësisht raportin me ujin. Drejt detit, sheshet do të luajnë një rol të rëndësishëm si dallgëthyese për zbutjen dhe shuarjen e forcës së dallgëve gjate stuhisë. Shëtitores i bashkohet përgjatë detit edhe një rrugë e rëndësishme, e cila të lejon të ulesh, të hysh në plazh ose të arrish në det gjatë zbaticës. Katër këmbë shkalle me lartësi të limituar dhe me largësi të ndryshme zgjidhin diferencën e kuotës midis shëtitores dhe rërës: kjo krijon mundësinë për të ndryshuar rrënjësisht pamjen nga deti; shëtitorja e re të afron me detin dhe krijon një shfrytëzim plotësisht të ndryshëm nga ai i situatës aktuale.
E gjithë rruga është e shoqëruar nga një rresht me pisha dhe nga stola të gjatë që të lejojnë të ulesh pranë detit dhe të shëtisësh nën hijen e pemëve. E gjithë hapësira e shtruar ekzistuese kompletohet, rregullohet dhe reduktohet në favor të parkut: një linje e lakuar përcakton një hapësirë me dimensione vazhdimisht të ndryshueshme, që lidhet me fundin e rrugës në det, krijon më shumë hapësirë dhe përcakton lidhjet me parkun. Shtrimi në mënyrë uniforme dhe me ngjyrë të qarte e të hapur, i moduluar nga vizatimi i vijave të bardha kontribuon në përforcimin e sensit të vazhdimësisë së hapësirës. Shëtitorja zgjatet në lindje, duke u ngushtuar butësisht dhe duke krijuar kështu një hapësirë për lojëra dhe një parkim të ri. Në të ardhmen rruga mund të vazhdojë në përputhje me rregullat portuale deri tek moli i portit të ri turistike. Për pjesën perëndimore të projektit, që lidhet me pjesën e sistemimeve të bëra së fundmi përreth “ Sfinksit”, propozohet shtrimi i thjeshtë me pllaka graniti ngjyrë gri, në vazhdimësi me pllakat ekzistuese dhe vendosja e shtyllave të reja të ndriçimit, shtretërit e luleve ekzistuese së bashku me palmat do të ruhen.

Th.M.