Tirana është tronditur këtë pasdite kur në mes të kryeqytetit, në rrugën "Ndre Mjeda", është rrëmbyer një vajzë 13-vjeçare, e cila sapo kishte zbritur nga furgoni i shkollës.

Dëshmitaret kanë mundur të shohin makinën, për të cilën shprehen se ishte në ngjyrë të kuqe dhe e markës “Fiat Punto”.

Sipas dëshmive, personi që e ka rrëmbyer me forcë dhe e ka futur në makinë, e ka pritur deri sa ka zbritur nga furgoni, dhe më pas e ka marrë.

Vajza ka bërtitur për ndihmë, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve, por këta të fundit nuk kanë mundur ta ndalojnë.

Policia sakaq është vënë në alarm duke ngritur pika kontrolli në të gjithë Tiranën, ndërsa është njoftuar edhe policia e Fushë Krujës, Elbasanit dhe Durrësit.