Personat e arrestuar në portin e Durrësit në lidhje me operacionin për kontrollin e kontenierit që dyshohet se u përdor për trafik kokaine po merren në pyetje nga policia.

Ata kanë mohuar akuzat duke deklaruar se sheshi ku shkarkohen kontenierët monitorohet me kamera sigurie dhe në rast se ato këqyren do të dalin përgjegjësit e vërtetë..

“Kontrolloni kamerat e sigurisë. Nuk kemi asnjë lidhje me këtë punë. Kush guxon të afrohet në kontejner ndërkohë që kamerat monitorojnë gjithçka. Nuk kemi asnjë lidhje me akuzat e ngritura”,– janë shprehur punonjësit e sigurisë portuale.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe shoferi i kompanisë që kishte porositur banane nga Amerika Latine për llogari të së cilës ishte ngarkuar kontejneri.

“Çfarë lidhje kam unë. Unë ngarkoj dhe shkarkoj në destinacion. Nuk e kam marrë në ngarkim kontenierin. Çfarë përgjegjësie kam unë”, ka thënë ai.

Dyshohet se nga kontenieri janë marrë 50 arka me banane para se ai të kalohej për kontrollin rutinë në skaner. Në momentin e verifikimit, policia konstatuar se ai ishte i paplumbosur me plumbçe.