Komisariati i policisë së Durrësit ka prerë fletën e arrestit për 50-vjeçarin kanadez, i cili tentoi të përdhunonte një turiste hungareze të mitur mesditen e djeshme në plazhin e Durrësit. Sipas policisë, Robert Hedorson u arrestua me akuzën tentativë përdhunimi të një shtetaseje hungareze e moshës 13 vjeçe.
Fatmirësisht, 50-vjeçari nuk arriti të përmbushte vullnetin e tij, pasi u pikas nga banorët e zonës të cilët e kanë rrahur barbarisht atë duke e bërë për spital.
Robert Hedorson qëndroi rreth 12 orë në urgjencën e spitalit të Durrësit ku mori ndihmë mjekësore, pasi kishte hematoma në pjesë të ndryshme të trupit dhe në fytyrë. Nga burimet policore mësohet se turisti kanadez nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga marrja paraprake në pyetje nga oficerët e policisë së Durrësit.
Në dëshminë e tij, Hedorson ka thënë se veprimi i tij është keqkuptuar pasi vajza i kishte treguar ku ndodhej një market që ai kërkonte dhe me mirësjellje e ka falenderuar vajzën duke e përqafuar.
“Nuk është aspak e vërtetë që tentova të përdhunoj një vajzë të mitur. Absolutisht nuk kisha këtë qëllim. Thjeshtë e përqafova në shenjë falenderimi”,- ka thënë 50-vjeçari.
Ndërsa vajza ka një version tjetër. Ajo ka pohuar ndër të tjera se: në momentin që kishin mbërritur pranë këtij pallati (që është edhe zonë disi e fshehur) në një rrugicë të zonës së plazhit, 50-vjeçari i ka kërkuar ta shoqëronte deri tek apartamenti.
Në këtë moment vajza ka refuzuar të ngjitej bashkë me 50-vjeçari në apartament, ai e ka kapur për dore duke përdorur forcë për ta futur në hyrjen e pallatit. E mitura ka bërtitur duke kërkuar ndihmë. Për fatin e saj të mirë, aty pranë ndodheshin disa banorë të zonës të cilët janë afruar me shpejtësi.
K.H.





