“Përpara derës së mesit të autobusit është gjetur një grua e djegur me dy fëmijë në krahë, ndoshta binjakë” . Këto detaje prekëse vijnë nga mediat bullgare, të cilat po raportojnë për aksidentin tragjik të autobusit me udhëtarë nga Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë një nga të mbijetuarit i tha kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev se një shpërthim i fuqishëm u dëgjua.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Siguria nga Zjarri dhe Mbrojtja e Popullatës, kryekomisioneri Nikolaj Nikolov në një intervistë për mediat vendase është shprehur se dy janë shkaqet kryesore të tragjedisë me 45 viktima në Bullgari.

Një problem teknik ose gabim njerëzor i shoferit, këto janë dy pistat ku po hetojnë autoritetet bullgare..

Ndër të tjera, ai thekson se numri i saktë i viktimave do të dalë pas largimit të trupave, pasi aktualisht duhet të konfirmohet nëse gjatë udhëtimit ka pasur transferim të udhëtarëve nga një autobus në tjetrin.