Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi me tritol që tronditi qytetin e Vlorës pasditen e kësaj të diele. Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë një 33-vjeçar, i identifikuar si Indrit Sadedini, i cili sipas informacioneve paraprake ka mbetur i plagosur rëndë.
Eksplozivi ishte vendosur në pjesën e jashtme të pallatit ku jetonte 33-vjeçari, në hyrje të garazhit, aty ku kishte parkuar dhe automjetin e tij. Shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm dhe ka shkaktuar dëmtime të mëdha në pjesën ku është vendosur, duke shkaktuar një krater të thellë.
Sipas të dhënave paraprake dyshohet se ka qenë një sasi prej gjysmë kilogramë tritol, shpërthimi i të cilit ka shkaktuar frikë dhe panik te një nga zonat më të populluara të Vlorës, në hyrje të Lungomares, në lagjen “10 Korriku”.
Policia e Vlorës/ Informacion paraprak
Më datë 18.12.2021, rreth orës 15:10, në lagjen ‘10 Korriku’, jashtë një pallati ka shpërthyer në rrethana ende te paqarta një sasi lënde, dyshohet eksplozive e për pasojë është dëmtuar shtetasi I. S., i cili ndodhet në gjendje të rëndë.
Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.





