Dy persona të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ndaluar nga policia e Durrësit, në vijim të operacionit të koduar “Vjeshtë 2017”, mes tyre dhe Gëzim Aleksi nga Shijaku i dënuar nga drejtësia shqiptare me burg dhe për vrasjen e kryer në Itali. Një ndalim i nxituar bazuar në listën e shpërndarë vetëm këto ditë nga Interpol Tirana, si theksohet në njoftimin e policisë së Durrësit, apo drejtësia italiane kërkon të rigjykojë krimin e kryer 20 vjet më parë nga Aleksi në Itali? Kjo pyetje duket se do të marrë përgjigje në ditët e ardhshëm kur të shqyrtohet nga Gjykata vlefshmëria dhe caktimi i masës së sigurisë ndaj Aleksit.
Sot, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës njoftoi ndalimin e dy shtetasve Gëzim Aleksi 41 vjeç, banues ne Shijak dhe Dashamir Hersi 48 vjeç, banues në Durrës, të shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim esktradimi drejt shtetit italian. Sipas policisë së Durrësit, në ngarkim të shtetasit Gëzim Aleksi, Gjykata e Brescia-s në Itali ka lëshuar më 16 qershor të vitit 1998 një urdhër arrest për vrasje. Ndërkaq, në ngarkim të Dashamir Hersit, edhe Gjykata e Peskarës ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale të "trafikimit të lëndëve narkotike". Të dy këta shtetas ishin shpallur në kërkim nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës vetëm pak ditë më parë, përkatësisht më 12 dhe 17 tetor të këtij viti.
Ndërkohë rezulton se shtetasi Aleksi, një person me precedent penalë dhe në Shqipëri është dënuar edhe për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Dorian Gjoni, më 8 nëntor të vitit 1997 në Bergamo të Italisë, në një lokal të frekuentuar kryesisht nga emigrantët shqiptarë. Nga organet kompetente italiane nuk qe bërë e mundur që të ndalohen e arrestohen menjëherë autorët e vrasjes së shtetasit shqiptar Gjoni. I arrestuar për një tjetër vepër penale në Durrës, Gëzim Aleksi në bazë dhe të letërporosive me autoritetet italiane u dënua nga Gjykata e shkallës së parë Durrës me 18 vjet burg për vrasjen e Gjonit.
Ngjarja
Nga provat e dosjes gjyqësore ka rezultuar se më 8 nëntor 1997, në orën 03 e 40 minuta të mëngjesit, autoritetet policore të Bergamos, janë njoftuar me telefon se në lokalin “Florian” kishte ndodhur një ngjarje dhe pasi kanë shkuar kanë konstatuar vdekjen e shtetasit shqiptar Dorian Gjoni si rrjedhojë e një plage të shkaktuar me armë zjarri.
Pas ekzaminimit mjeko ligjor ka rezultuar se viktima Dorian Gjoni ishte qëlluar me armë zjarri me një plumb të vetëm nga një distancë më e madhe se 40 cm me vrimë hyrje në zonën zigomatike të majtë, me një trajektore nga lart poshtë dhe nga e majta në të djathtë. Gjithashtu rezulton se është bërë edhe kqyrja e vendit të ngjarjes në të cilin është pasqyruar me saktësi lokali ku është bërë vrasja, vendndodhja e tij, vendi ku është gjetur trupi i viktimës, pozicioni i kthyer përmbys sipër një njollë të madhe gjaku, e të tjerë detaje të pasqyruara me hollësi në proces-verbalin e kqyrjes. Është provuar në gjykimin në shkallë të parë se viktima në momentin e ngjarjes ka qenë i shoqëruar nga Kastriot Taçi dhe Isuf Belishaku duke pir diçka në një tavolinë të sallës së vogël të këtij lokali. Ky lokal njihej si lokal i frekuentuar nga shqiptarët në Bergamo dhe në këtë lokal kishte të punësuar një kamerier shqiptar. Para tyre në atë lokal kishin qenë edhe një grup tjetër djemsh shqiptarë mes të cilëve dhe Gëzim Aleksi së bashku me një vajzë bionde të njohur si prostitutë. Më pas në lokal kanë shkuar përsëri i pandehuri Gëzim Aleksi dhe shtetasi Elmaz Zeneli, të cilët për herë të dytë janë ftuar nga kamerieri i lokalit që të largoheshin se po shqetësonin klientët e tjerë, duke e sqaruar se këtë gjë ua thoshte në emër të pronarit të lokalit Roberto Citterio. Rreth orës 02.00, Gëzim Aleksi ka hyrë për herë të tretë me shpejtësi në lokal dhe është afruar menjëherë në tavolinën ku ishte viktima Dorian Gjoni, ka kërcënuar dy shokët e tij të mos lëviznin dhe ka fyer rëndë Dorianin që është ngritur në këmbë, ndërsa i pandehuri ka shkrehur armën duke e qëlluar me një plumb në kokë nga i cili i është shkaktuar vdekja. Pas kryerjes së krimit i pandehuri Gëzim Aleksi e shokët e tij janë larguar e nuk janë kapur nga policia ditët e para të ngjarjes.
Janë kryer veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes ku janë fiksuar gjurmë, prova materiale si dhe janë identifikuar autorët e vrasjes e personat që e kanë parë ngjarjen, të cilët janë thirrur e pyetur nga organi i Policisë Gjyqësore e Prokurorisë Italiane. Pas kryerjes së hetimeve prej më shumë se një muaj kohë, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të datës 11.12.1997. është vendosur masa shtrënguese “arrest në burg” për shtetasit Artur Bregu dhe Elmaz Zeneli. Për të pandehurin Gëzim Aleksi nuk ishte bërë e mundur vendosja e kësaj mase për shkak se nuk ishin gjetur gjeneralitetet e plota, ndërsa dy të pandehurit e tjerë janë arrestuar e më pas ekstraduar nga shteti gjerman.
Në vazhdim të hetimit, prokuroria italiane ka bërë të mundur gjetjen e gjeneraliteteve të të pandehurit Gëzim Aleksi e fotografive të tij nëpërmjet të cilave, dëshmitarët e natës së krimit në lokal e kanë njohur atë si autor të krimit. Pas kryerjes së vrasjes së Dorian Gjonit, Gëzim Aleksi i është fshehur drejtësisë italiane duke u kthyer në Shqipëri.
Pas realizimit të bashkëpunimit “Për ndihmë të ndërsjelltë juridike në fushën penale” bazuar në Konventën Europiane është bërë e mundur gjetja e dërgimi i gjurmëve dhe gjeneraliteteve të plotë për të pandehurin Gëzim Aleksi, pasi ky i fundit tashmë ishte i arrestuar për një vepër tjetër penale që kishte kryer në Shqipëri, duke iu kthyer përgjigje autoriteteve italiane se në bazë të ligjit shqiptar ky shtetas nuk mund të ekstradohej për t’u gjykuar në Itali, por edhe për veprën e kryer atje do të gjykohej nga drejtësia e shtetit shqiptar. Në atë periudhë kohe, pra në fund të vitit 1998, për veprën penale për te cilën akuzohej i pandehuri Gëzim Aleksi në K.Penal shqiptar parashikohej si masë dënimi edhe dënimi me vdekje. Ndaj vetëm në vitin 2003, Prokuroria pranë Gjykatës së Bergamos, pranoi që i pandehuri Gëzim Aleksi të gjykohet në Shqipëri meqenëse në sistemin gjyqësor shqiptar nuk aplikohej më dënimi me vdekje. Më pas, i janë dërguar materialet e kësaj çështje prokurorisë shqiptare e cila ka mbyllur hetimet dhe çështja është gjykuar duke e shpallur fajtor dhe për këtë krim Aleksin.
V.Q.





