Me një pamje krejt tjetër nga ajo që i dashuri apo njerëzit mund ta kishin imagjinuar, Enertila Beqja mbërriti në gjykatën e faktit në Durrës mëngjesin e së premtes.

Pa pranga në duar, por e veshur me një palë streçe, një fustan vishnje dhe një palë atlete lidhëset e të cilave mungonin u shfaq ajo në sallën e gjyqit.

Krejtësisht e akullt, sypatrembur, moskokëçarëse u ul në karriget e kafazit të hekurt.   

E akuzuar për mashtim me pasoja të rënda financiare, 27-vjeçarja nga Manza për asnjë moment nuk u step, nuk ju drodh zëri, por deri në fund, me bindjen e saj, mbrojti tezën se është e pafajshme. Edhe pse prokurori i çështjes, por edhe gjykatësi këmbëngulën që vajza të pranonte se pas fotos së vajzës bionde qëndronte ajo vetë, dhe pas mashtrimit spektakolar fshihej loja e saj djallëzore, e nisur që prej vitit 2015 me Barush Ahmetin, vajza asnjëherë nuk u lëkund në qëndrimin e saj, pavarësisht se dridhja e lehtë e duarve herë pas here tregonte se ishte në vështirësi të madhe.

Por nuk u mjaftua që e akuzuan. Nga e akuzuar, ajo akuzoi 30-vjecarin Ahmetaj, se i ka marrë pensionin e kempit të nënës, e nuk ia ka dhënë akoma për muajin qershor, kohë kur ishte debate mes çiftit virtual. 

Shumë larg nga të qënit biondja e tij apo ‘Mona Liza’, imazhet e të resë brune tregojnë se vajza vuan nga një sëmundje e pakuruar. Në seancën gjyqësore rreth 60 minuta që u mbajt për Enertila Beqajn, gjykata vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Vendimin, vajza e priti shumë e qetë e pa kontestime.

Organi i akuzës që përfaqësohej nga prokurori mbajti një raport të detajuar. Prokurori i çështjes tregoi provat që ‘fundosin’ 27-vjeçaren.

Enertila Beqja i paraqitej të riut në ‘Facebook’ me emrin Elona Gjoka dhe me këtë profil i ka zhvatur për një periudhë gati tri-vjeçare shumën e madhe të lekëve dhe të dhuratave. Prokuroria disponon prova e fakte që prej vitit 2015-2017, kohë kur profili me emrin Elona Gjoka kishte zënë miqësi me Barush Ahmetin. Pasi zuri miqësi me 30-vjeçarin, i tha që ishte nga Manza dhe jetonte me familjen në Milano të Italisë. Fillimisht Elona (Enertila Beqja) i kërkoi Barushit një palë kolltuqe që t’ja çonte tezes në fshatin Manzë, meqë ishte në gjendje të keqe ekonomike. Barushi në celularin e tij si provë për prokurorinë ka paraqitur foto nga kolltuqet si dhe faturën e tyre. Më pas vijuan dhuratat me blerjen e dy televizorëve plazmë, aparat digitalb-i, lavastovilje, sobë druri, pistës së vrapit për palestër, bixhuteri të florinjta nga më të ndryshmet, dy iPhone 6 dhe 7 plus. Dhurata këto të cilat ishin të fotografuara dhe të dërguara tek adresa me emrin Elona Gjoka, ku kjo e fundit jepte aprovimin nëse i duheshin ato dhurata me atë stil apo dhe ngjyrën përkatëse dhe nuk nguronte që të referonte se çfarë i pëlqente.

Ndërkohë, një dhuratë ishte blerja e motorit dhe targimi në emër të Myrteza Beqajt, babait të vajzës. Sipas organit të akuzës, Enertila i kishte dërguar me "Facebook" fotografinë e kartës së identitetit të Myrtezajt dhe Barushi, i cili pasi kishte blerë motorin, e kishte targuar dhe regjistruar në emër të babait të saj. Edhe motori është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga prokuroria.  

30-vjecari Barush Ahmeti u ndje i kërcënuar, pasi vajza me emrin Elona Gjoka i tregonte të dashurit të saj se babai kishte vrarë dhëndrin, burrin e motrës. Ndaj, sipas saj ajo nuk mund t’i mbante bizhuteritë, pasi babai i saj kishte marrë vesh lidhjen e tyre.

“Këto bizhuteri që kam duhet t’i hedh poshtë. Duhet të m’i blesh nga fillimi, pasi babai im do të vrasë. Që të shpëtosh nga vrasja, pasi babai im e ka marrë vesh lidhjen tonë, duhet të më blesh dhuratat”,- shkruan vajza në mesazhet e shkëmbyera në "Facebook".

I kërcënuar nga ky fakt, Ahmeti, drejtor i Postës në Manzë, ka bërë denoncimin në policinë e Durrësit, ndërkohë që vajza e mbylli adresën në ‘Facebook’ me emrin Elona Gjoka.

Çfarë tha Enertila Beqja në gjykatë?

“Nuk e njoh fare këtë person. Nuk kam lidhje me të. Unë e kam njohur, kur vinte sillte pensionin e mamasë në shtëpi dhe i thamë mos e sill se vijmë dhe e marrim vetë”, kështu i tha gjykatësit pa ju ‘trembur’ qerpiku 27-vjeçarja.

Vajza nuk pranoi asnjë akuzë, ndërsa theksoi se nuk kishte lidhje fare me emrin e personit Elona Gjoka në ‘Facebook’.

“Në FB kam emrin Enertila Beqja dhe si foto kam një timen me mamin. Unë se njoh Barushin, ç’punë kam me të. Bën punë si postier, sjell pensionin e mamit në shtëpi (kempin) ose shkojmë e marrim ne në Manzë. Në muajin qershor jemi zënë me Barushin se më ka mbajtur një muaj nga kempi i mamit, vajta dhe u ankova për të në postë dhe polici. Unë s’kam punë me Barushin. Unë jam e fejuar me Albano Stafën, jeton në Milano. Se kemi bërë fejesën, por jam e zënë me të. S’më ka kërkuar akoma. Por do të fejohemi së shpejti. Ai e ka emrin Albano Stafa dhe është nga Durrësi, jeton në Milano. Unë mendoja se isha shtatzënë, se më kishte dalë pozitiv testi i shtatzënisë. Unë kam faturat që i kam blerë të gjitha mallrat vet. S’kam fare pjesë me këtë punë. Kërkoj edhe mëshirë, edhe pafajësi. Kërkoj që të jem afër nënës time, që e kam të sëmurë. Ndaj më lironi. Të gjitha mobiljet në shtëpi i kemi blerë me të ardhurat tona dhe me ato që na kanë dhënë të afërmit. Na ka ndihmuar xhaxhai që kam në Itali”,- tha Enertila në gjykatë.  

K.H.