Klodi Hasimllari do të tronditej pasi do të kthehej në shtëpi. Pas një periudhe në emigracion në Greqi ku punon, ai ka gjetur në shtëpinë e tij një foshnje të pajetë. Hasimllari kishte rreth 1 muaj që ishte kthyer nga Greqia dhe në dollap ka konstatuar një erë të rëndë. Ajo që do të zbulonte më pas do ta trondiste: Një foshnjë brenda valixhes.

Menjëherë më pas ka njoftuar policinë ku ka kallëzuar rastin. Dyshimet janë se fëmija është lindur nga bashkëshortja e tij, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kjo e fundit është dërguar në maternitet për ekzaminime të mëtejshme dhe deri më tani nuk është në gjendje që të sqarojë situatën.

Sipas informacioneve, bashkëshorti i ka thënë policisë se kishte më shumë se 1 vit që nuk ishte kthyer në shtëpi dhe se fëmija i pajetë nuk është i tij.

Çifti ka një fëmijë tjetër 15 vjeç. As i mituri nuk mund të sqarojë situatën pasi vuan nga autizmi.

Fqinjët e çiftit kanë thënë se nuk ishin në dijeni nëse gruaja ishte shtatzënë. Një prej tyre thotë se gruaja kurohej prej disa vitesh nga problemet e shëndetit mendor. Gjatë kohës që bashkëshorti ishte në Greqi, ajo qëndronte e vetme në shtëpi. Shpesh atje shkonin familjarët e saj për ta parë dhe për t’u kujdesur për të.