Mediet italiane, sidomos ato lokale, i kanë kushtuar sërish sot një vëmendje të veçantë krimit të konsumuar brenda mureve të shtëpisë së një çifti nga Durrësi, që prej vitesh jetonin e punonin në Itali.

Vrasja e 52-vjeçares Diana Vrapi Koni nga bashkëshorti i saj Muhamedi, 62-vjeç ka tronditur opinionin publik.

Vrasësi u arrestua menjëherë pasi kreu krimin dhe u la në arrest me burg, pasi akuzohet për vrasje.

62-vjeçari e vrau gruan në shtëpinë e çiftit me 15 goditje me thikë. Prokuroria e Busto Arsizio-s po punon për të zbardhur motivet e krimit makabër.

Siç shkruajnë mediet italiane, Diana nuk kishte bërë asnjëherë ndonjë denoncim për dhunë nga ana e të shoqit në polici.

Për fqinjët, ata ishin një çift mëse normal, pa probleme në bashkëjetesën e tyre të gjatë, megjithëse tani kanë lindur dyshimet se kohët e fundit, nuk kishte më harmoni në çift.

Po sipas fqinjëve, dy bashkëshortët ishin persona të rezervuar, të edukuar dhe mjaft të përshtatur me jetesën në komunitetin ku banonin.

Për hetuesit nuk është ende e qartë se çfarë e shtyu burrin të godiste 15 herë me thikë bashkëshorten e tij. Të dy ishin të punësuar dhe duket se nuk kishin probleme ekonomike.

Ndërkohë, njëri nga djemtë e çiftit deklaroi një natë më parë në polici, se i kishte kërkuar të ëmës të mos kthehej më në shtëpinë ku jetonte Muhamedi.

Hetimet janë përqendruar veçanërisht në zbardhjen e ndonjë konflikti në familje, që po konsumohej brenda mureve të shtëpisë prej disa ditësh dhe që u mbyll me një krim makabër pasditen e së mërkurës. 

M.P.