Zbulohen detaje nga ngjarja e rëndë, ku një fëmijë 12 vjeç mbeti i vdekur në vend pasi u qëllua me armë zjarri nga vëllai.
Ngjarja tragjike ka ndodhur të mërkurën rreth orës 18:00, në fshatin Petoq, në Fan të Mirditës.
Sipas policisë, 2 vëllezërit e mitur, E.T. 15 vjeç dhe D.T. 12 vjeç, kanë qenë duke ruajtur bagëtitë në mal. Gjatë kësaj kohe ata dyshohet se kanë qenë duke luajtur me një automatik dhe 15-vjeçari, nga pakujdesia dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij të vogël me plumb në gjoks.
Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit për ekspertizën e plotë mjeko – ligjore.
15-vjeçari E.T., babai i tij, si dhe disa persona të tjerë janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mirditë, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti armën e zjarrit, si dhe 2 gëzhoja.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të ngjarjes.





