Detaje të reja dalin nga vrasja e ish-shefit të të Krimit Ekonomik Ervin Dalipaj dhe shokut të tij Juxhin Dautaj në autostradën Durrës-Tiranë.

Burime policore bëjnë me dije për “DurrësLajm” se dy viktimave iu janë gjetur 7000 euro edhe një armë zjarri në automjet. Ish-efektivit Dalipajt i janë gjetur 5000 euro në portofol dhe një pistoletë në brez, ndërsa 27-vjeçarit Dautaj i janë gjetur 2000 euro në portofol.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se dy viktimat para atentatit janë takuar në një pikë karburanti në autostradë me dy femra të cilat po udhëtonin me një mjet tip “Smart”. Pasi kanë ndenjur për pak kohë të katërt së bashku, ata janë larguar me automjetin tip “Audi S8”.

Burimet policore pohojnë për “DurrësLajm” se Dalipaj e kishte marrë me qira makinën te një koncensionar që jep makina me qira. Ndërsa sa i përket shumës së parave që iu gjetën dy viktimave, policia ka dyshime se ato mund t’ua kenë dhënë dy vajzat që u takuan me ta për herë të fundit.

Identifikimi i vajzave në fjalë nuk është bërë ende, ndërkohë që policia po punon për identifikimin e tyre, pasi dëshmia e tyre mund të hedhë më shumë dritë rreth krimit të rëndë. Ka dyshime të forta që vajzat mund të kenë dijeni rreth atentatit.