Në Buenos Aires të Argjentinës vazhdon gjyqi ndaj stafit mjekësor që përkujdesi për legjendën Diego Maradona, i cili humbi jetën në vitin 2020 nga një atak kardiak. Ata akuzohen për neglizhencë në trajtimin e Maradonës, duke shkaktuar vdekjen e tij të parakohshme në moshën 60 vjeçare.
Autopsia ka zbuluar detaje të tmerrshme mbi orët dhe ditët e fundit të legjendës së futbollit. Sipas ekspertit Karlos Mauricio Kasineli, Maradona ka kaluar rreth 12 orë agoni për shkak të mungesës së medikamenteve të duhura. Ai ka prezantuar në gjyq foto të mpiksjeve të gjakut, të cilat sipas tij tregojnë se zemra e Maradonës ishte dyfishuar në masë dhe se kishin krijuar 4-5 litra lëngje në organet e tjera, si pasojë e kësaj.
Kasineli ka shpjeguar se zemra e Maradonës ishte e mbuluar plotësisht me yndyrë dhe mpiksje gjaku, duke treguar agoninë e tij. Ai theksoi se këto simptoma nuk ishin akute, por diçka që mund të ishte parashikuar dhe që kishte përfunduar në një gjendje të tillë për disa ditë, mundësisht që nga momenti kur Maradona ishte larguar nga spitali deri në momentin e vdekjes.
Shtatë anëtarët e stafit mjekësor të pandehur kanë mohuar të gjitha akuzat dhe e cilësojnë veten të pafajshëm. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me dënime deri në 25 vite burg.