Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur sot në Shëngjin ku mbetën të plagosur 4 persona.

Sipas policisë në konfliktin për motive banale janë përfshirë Gertjan Malshi dhe 3 anëtarë të së njëjtës familje.

Policia sqaron se autori “Gertjan Malshi, i cili pas ngjarjes është arrestuar, pas një konflikti me shtetasin Gëzim Aliaj, 52 vjeç,  shtetasen Mimoza Aliaj 49 vjeçe , dhe shtetasin  K.A. 18 vjeç , banues të gjithë  në Mal- Shëngjin ( pjesëtarë të një familje)   ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të tyre.”

Nga të shtënat me armë ka mbetur e plagosur shtetasja Mimoza Aliaj e cila pas dhënies ndihmës së parë mjekësore është dërguar për ndihmë  më të specializuar në  spitalin e Tramues në Tiranë.

Po kështu të plagosur në konflikt e sipër me mjete të forta kanë mbetur  shtetasi Gëzim Aliaj,  shtetasi K.A.si dhe autori i dyshuar  Gertjan Malshi të cilët pas ndihmës mjekësore në spitalin e Lezhës ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

– Një armë gjahu e tipit “Shotgan”

– Automjeti në pronësi të shtetasit Gertjan Malshi

– 19  fishekë arme gjahu

–  sende të forta të përdorura në konflikt

Gjithashtu do të referohen materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë edhe në ngarkim të shtetasit Gëzim Aliaj, për kryerjen e veprës penale “Plagosje e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89  i  Kodit Penal.