Policia greke ka dhënë këtë të diel detaje për operacionin antidrogë gjatë të cilit u kapën 1.6 tonë drogë dhe u arrestuan 10 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë.

Në një deklaratë për shtyp, policia helene tha se janë sekuestruar 1.6 tonë marijuanë, ndërsa në zona të ndryshme të Athinës u arrestuan 10 pjesëtarë të organizatës ndërkombëtare të drogës.

Në operacion për kapjen e skafit me drogë nga Shqipëria morën pjesë skafe të policisë, një avion i FRONTEX, një helikopter dhe snajperistë.

Policia pikasi gomonen teksa hyri në territorin shqiptar, u ngarkua dhe në kthim, me t'u rifutur në ujërat greke nisi ndjekja.

Sipas policisë, trafikantët hapën zjarr ndaj një skafi të policisë greke, i cili u kundërpërgjigj, por disa policë ranë në det duke u plagosur.

Gomonia u arrit të ndalohej midis Makronisit dhe ishullit Kea pas goditjes nga snajperistët që ndodheshin në helikopter.

Teksa në gomone u arrestuan 2 shqiptarë dhe një italian, në kryeqytetin Athinë u arrestuan 4 shqiptarë të tjerë, 1 italian, 1 bullgar dhe 1 grek.

Hetimet e grekëve vijojnë, ndërsa në orët në vijim pritet që të mësohet edhe identiteti i shqiptarëve që janë arrestuar.