Vetëm pak ditë pas miratimit në Këshillin Bashkiak të marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, përfshirë stadiumin, Korporata Shqiptare e Investimeve ka hapur tenderin ndërkombëtar për realizimin e këtij projekti.

Korporata njofton në faqen e saj zyrtare se si zhvilluese e projektit “Rijetëzimi i stadiumit “Niko Dovana” Durrës, ndërtimi i Qendrës Sportive/Komunitare, si dhe rikualifikimi i zonës përreth” çel tenderin ndërkombëtar, i cili do të qëndrojë i hapur deri më datë 15 shtator, ora 15.00.

“Rijetëzimi i Stadiumit të Durrësit është rikthimi i energjisë, funksioneve dhe ritmit të qytetit – aty ku dikur dëgjohej vetëm zhurma e ndeshjeve. Këtu nuk flasim më vetëm për një fushë futbolli, por për një hapësirë që merr frymë me qytetin”,– shkruan në rrjete sociale Korporata.

Çfarë parashikohet të ndërtohet në këtë sipërfaqe që është mbi 60 mijë metra katrorë?

“Stadiumi i ri do të përfshijë:

Qendër kongresesh dhe aktiviteteve publike

Zyra moderne për biznese dhe administratë

Hapësira për sport, art dhe kulturë

Treg dhe njësi shërbimi

Banesa dhe ambiente për jetesë urbane

Qendër komunitare, hapësira për të rinjtë dhe për familjet“,- bën të ditur kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, përmes një postimi në rrjete sociale.

“Transformimi i Stadiumit të Durrësit është më shumë se një ndërhyrje infrastrukturore – është një investim në jetën urbane të qytetit tonë. Nga një hapësirë që dikur ishte e rezervuar vetëm për sportin, po ndërtojmë një qendër moderne me funksione të shumta, në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit ekonomik kulturor e komunitar të Durrësit”,- shkruan më tej Sako, e cila thekson se “Ky projekt rrënjësor nuk është vetëm rindërtim – është një vepër e përbashkët që shërben për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të Durrësit.”

Si do të realizohet projekti?

Siç shpjegon Korporata e Investimeve, projekti në fjalë do të realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik që ka interes të zhvillojë pronat e tij dhe të përfitojë prona të përmirësuara dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe kapacitetet ekzekutive dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit.

Investimi që do të realizohet tek stadium dhe gjithë zona përreth do të zhvillohet sipas projekt-idesë arkitekturore të bashkimit të subjekteve “51N4E + Plan Comun”.

Ndërkohë, procedura e konkurrimit për përzgjedhjen e Partnerit Privat do të kryhet nëpërmjet procedurës përzgjedhëse konkurruese me zarf, me dy faza, përkatësisht faza e kualifikimit dhe faza e përzgjedhjes, siç specifikohet në “Rregulloren e Procedurave Konkurruese”, të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Korporatës.

M.B.