Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e pak minutave më parë, ku humbi jetën 58-vjeçari Agim Arapi, i cili prej pak ditësh kishte marrë me qira një market.
Burime policore bëjnë të ditur për DurrësLajm se pronari i marketit ishte konfliktuar fillimisht me tre persona, që banonin në të njejtin pallat ku ishte hapur marketi, për çështjen e pronësisë së marketit.
Mendohet se do të jenë pamjet filmike të një kamere sigurie të marketit, që do të hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë. Pamjet janë konfiskuar tashmë nga grupi hetimor.
Nuk dihet me saktësi se çfarë kanë pretenduar dy vëllezërit Kujtim Ekonomi dhe Kostandin Ekonomi si dhe Jurgen Kurti, dhëndrri i Kostandinit, por dihet që ata janë konfliktuar me grushte e shkelma me 58-vjeçarin, ndërsa janë thyer gota e shishe qelqi në market.
Të njëjtat burime saktësojnë se njëri nga vëllezërit Ekonomi është fiksuar nga kamerat e sigurisë së marketit teksa mbante edhe një thikë në dorë, por nuk dihet nëse ai ka qëlluar mbi viktimën me thikë, apo ky i fundit që vuante edhe nga zemra, ka humbur ndjenjat pas goditjeve me sende të forta.
Policia në deklaratën e saj zyrtare bën me dije se viktima ka mbetur i plagosur, ndërsa është transportuar në spital me ambulancë e ka humbur jetën pak minuta më vonë.





