Vazhdojnë hetimet mbi vrasjen e Ruzhdi Hoxhës të ndodhur rreth 2 javë më parë në Tiranë, në Malin e Dajtit, në zonën e Qafë Mollës.
Biznesmeni Hoxha u vra me armë zjarri nga miku i tij prej vitesh, Fredi Rrushi dhe vëllai i tij.
Ndërkohë që autorët e rrëmbimit dhe vrasjes janë në pranga, policia ende e ka të paqartë motivin e krimit të rëndë pasi mes viktimës dhe autorit kishte një miqësi të ngushtë prej shumë vitesh.
Kontakti para krimit të rëndë:
Nga verifikimet është mësuar se ditën që do kryente vrasjen, Fredi Rrushi e ka telefonuar tre herë Hoxhën, ndërsa ky i fundit nuk i ka hapur telefonin, gjë kjo që ngre dyshime për konflikte mes tyre. Mësohet se autori ka kontaktuar më pas me biznesmenin përmes një personi tjetër që ndodhej në një tavolinë me këtë të fundit.
Pasi ka mësuar lokalin ku ai ndodhej ka shkuar atje dhe sipas dëshmitarëve nuk ka pasur konflikte. Më pas e ka marre në makine dhe pas largimit te personave të tjerë e ka dërguar ne zonën e Dajtit, ku edhe e ka ekzekutuar.
Provat në vendngjarje:
Pas vrasjes, autori e ka marrë edhe celularin e Ruzhdi Hoxhës dhe për të humbur gjurmët e ka hedhur në një rrugicë.
Madje kamerat që janë në dispozicion të prokurorisë e kanë filmuar Rrushin duke zbritur I vetëm nga zona e Dajtit.
Telefoni i biznesmenit Hoxha, përfundoi në duart e një taksisti, i cili e shiti për 10 mije leke te vjetra në një servis dhe është zbuluar nga prokuroria nga qelizat.
Të nesermen ne orën 5.30 të mëngjesit Fredi Rrushi ka shkuar sërish drejt Dajtit ku ka tentuar të fsheh trupin e viktimës, duke e mbuluar me zhavor e gurë.
Deklarata e autorit:
Ndonëse policia dhe prokuroria pas një pune afro 11 ditore kanë mundur të bien në gjurmë të autorit të dyshuar, Fredi Rushi, ky i fundit nuk pranon të flasë duke vijuar t’i qëndrojë variantit të parë të dhënë në momentin e ndalimit.
Ai ka pohuar gjatë marrjes në pyetje se nuk ka lidhje me vrasjen dhe ditën kur biznesmeni u zhduk ai e kishte takuar dhe pasi kishin bërë xhiro me makinë e kishte lënë afër banesës në Kamëz.
Por të gjitha këto alibi të tij kanë rënë, pas pamjeve filmike të siguruara nga policia dhe prokuroria si dhe qelizave telefonike të tij dhe viktimës të cilët tregojnë vendodhje ndryshe nga sa pretendon I dyshuari dhe vërtetojnë akuzat e prokurorisë.
Policia
Zyrtarisht sipas policisë Fredi Rrushi, dy ditë pas denoncimit nga familja Hoxha, më 26 tetor 2021 u arrestua si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Sot ai është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Dyshimet e para ndaj tij u ngritën kur policia zbuloi një parcelë kanabis në zonën e Dajtit. Aty u kap edhe një roje i cili në dëshminë tij tha se Fredi Rrushi e kishte punësuar të ruante drogën. Pas zbulimit të parcelës me drogë fshatin Ballenj, me datë 31.10.2021, ku u vunë në pranga A. D dhe G. K., roje të parcelës së Fredi Rushit.
Hetimet
Aktualisht pistat e hetimit të vrasjes janë që nga borxhet që kishte biznesmeni Ruzhdi Hoxha deri te ajo e konflikteve për parcelat e kanabisit dhe pazaret e drogës.





