E ngjashme me një skenë filmi ka qenë ndjekja e makinës tip “Audi” ku udhëtonte ish-shefi i krimit Ekonomik të Tiranës, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti, të cilët u ekzekutuan sot në autostradë me breshëri plumbash. 

Mësohet se ish-shefi i krimit ekonomik në Tiranë, prej kohësh në arrati, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut po lëvizte me një makinë “Audi” së bashku me mikun e tij Juxhin Dauti në momentin që një makinë e zezë i ka ndjekur nga pas.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë rrëfyer për DurrësLajm se të dyja mjetet kanë qenë duke ecur paralel dhe me shpejtësi të madhe. Në tentativë për tu shmangur, “Audi” që drejtohej nga Dautaj ka përfunduar më shumë se 50 metra poshtë në autrostradë.

Nga fotot që ka siguruar gazetarja jonë vërehet që automjeti është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ndërsa gjurmët e plumbave janë të dukshme në pjesën e përparme dhe sidomos në pjesën e shoferit. Si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe të shtënave pa pushim, automjeti ka përfunduar në autostradë tejet i dëmtuar, madje i kanë dalë edhe gomat.

Sipas burimeve policore si Dalipaj ashtu edhe Dauti kanë mbetur të vdekur në vend.

Ndërkohë, po dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje kanë rrëfyer se automjeti i në ngjyrë të zezë, me të cilin udhëtonin vrasësit është larguar në drejtim të Shijakut.

Grupi hetimor që ka mbledhur gëzhojat në vendin e ngjarjes nuk ka bërë ende të ditur nëse ka pasur apo jo shkëmbim zjarri mes dy makinave. E gjithë zona prej 1 km në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës nuk lejohet për qarkullimin e mjeteve apo njerëzve, pasi hetimet në vendngjarje vijojnë. Policia po kontrollon edhe subjektet aty pranë nëse kanë kamera që mund t’ju vijnë në ndihmë për të rënë në gjurmët e atentatorëve.