Ky është Ervin Dalipaj, ish-oficeri i policisë që është shpallur në kërkim, si një ndër autorët e dyshuar të rrëmbimit dhe ekzekutimit të Gazmend Çollakut.

Ervin Dalipaj, 37 vjeç nga Tirana, ka qenë me profesion ish-oficer Policie në funksione të ndryshme në Policinë e Elbasanit dhe Tiranës, në SHKB, dhe vitet e fundit Shef Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë me gradën Komisar. Ai është përjashtuar nga detyra më 1 dhjetor të vitit 2013, me motivacionin për dekonspirimin e operacionit për lojërat e fatit.

Pas hetimeve intensive të kryera, është konstatuar se Dalipaj ka bashkëpunuar me Denis Shtrazën, 33-vjeçarin nga Durrësi që u arrestua mbrëmjen e së enjtes në Rinas, në marrjen peng dhe vrasjen e Çollakut.

“Prokuroria për Krime të Rënda ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasin Denis Shtraza, si edhe ka marrë lejen nga gjykata për një shtetas tjetër (Ervin Dalipaj), të dyshuar si pjesëmarrës në vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku, ndodhur më 6 janar 2016, në Durrës.

Nga veprimet hetimore të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se:

Në dt. 07.01.2016 është gjetur në zonën e Fushë-Krujës trupi i pajetë i shtetasit Çollaku. Ky i fundit ishte rrëmbyer një ditë më parë në qendër të Durrësit nga disa persona, të veshur me simbole policie.

Sapo ka marrë njoftimin për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka zhvilluar kontrolle për personat e dyshuar. Ndër këto veprime, është ndaluar dhe kontrolluar mjeti tip ML, i cili drejtohej nga shtetasi Shtraza dhe që shoqërohej nga një person tjetër. Gjatë kontrollit të mjetit, dy personave u janë gjetur disa celularë të fikur. Nga kjo e dhënë, policia ka krijuar dyshime dhe ka vendosur bllokimin e përkohshëm të mjetit, ndërkohë që dy personat e shoqëruar janë lënë përkohësisht të lirë.

Ndërkohë, nga veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndër të tjera, është bërë edhe këqyrja e kufomës dhe është urdhëruar ekspertiza. Nga të dhënat shkencore, në fashat plastike me të cilat ishte lidhur viktima, u gjetën disa gjurmë gjaku, të cilat nuk i përkisnin viktimës, por që kishin vlera identifikuese.

Po ashtu, nga ekspertiza e mjetit tip ML, në pjesën e pasme të saj, u gjetën disa gjurmë gjaku. Këto gjurmë, pasi u krahasuan, rezultuan të njëjta me gjurmën e gjakut të gjetura në fashën plastike me të cilën ishte lidhur viktima Çollaku.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se këta persona duhet të kenë qenë pjesë e pengmarrjes dhe vrasjes së shtetasit Çollaku”, bëri të ditur Prokuroria e Krimeve të Rënda.