Pas Lulzim Berishës edhe një tjetër i akuzuar si pjesëtar i bandës së Durrësit, Indrit Taullai, do të lerë qelitë e burgut. Vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Taullai është prangosur 10 vjet më parë dhe ishte dënuar me 25 vjet burg.
Gjykata e Lartë bazuar në konkluzionet e ekspertëve të mjekësisë ligjore urdhëruan lirimin e menjëhershëm nga qelia të Indrit Taullajt, i dënuar me 25 vite burg si pjesëtar i bandës së Durrësit.
Sipas ABC News, Kolegji Penal me relator gjyqtarin Edmond Islamaj kanë pranuar arsyetimin e ekspertëve ligjore se qëndrimi në burg i Taullajt i rrezikon jetën dhe për këtë fakt, kanë urdhëruar lirimin e tij nga burgu. Sipas ekspertëve, 42 vjeçari Indrit Taullaj vuan nga probleme të zemrës, që për ekspertët qëndrimi në burg i rrezikon jetën. Ky vendim i Kolegjit Penal erdhi pasi dy gjykatat e shkallëve më të ulta, ajo e Elbasanit dhe Apelit në Durrës i refuzuan lirimin 42-vjeçarit.
Sipas vendimit të Gjykatës që ABC News e ka siguruar një kopje, rezulton se 42 vjeçari Taullai është arrestuar 10 vite më parë, konkretisht më 29 qershor të 2007 dhe u urdhërua lirimi i tij po me 29 qershor por të vitit 2017.
Në vendimin e gjykatës, Indrit Taullai është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda si pjesë e bandës së Durrësit të drejtuar nga Lulzim Berisha, edhe ky tashmë i liruar me kusht nga gjykata. Indrit Taullai, tashmë 42 vjeç, është arrestuar në Durrës dhe pas disa proceseve gjyqësore, është shpallur fajtor duke u dënuar përfundimisht me 25 vite burg për 3 vrasje në bashkëpunim dhe një rrëmbim personi.
Ky vendim i dënimit përfundimtar ka marrë formën e prerë në vitin 2012 dhe disa vite më pas, Taullai ka filluar shqetësimet e zemrës, ç’ka shtyu gjykatën të urdhërojë lirimin e tij nga qelia ende pa përfunduar dënimin e dhënë për krimet e kryera. /ABC News





