Janë zbardhur detaje të reja nga operacioni “Summer” i ekzekutuar një ditë më parë në Durrës, teksa një prej tre personave të shpallur në kërkim është edhe drejtori i shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, Dashamir Mehmeti.

Gjykata e Durrësit caktoi ditën e sotme masat e sigurisë ku 4 persona u lanë në “arrest me burg”, 7 të tjerë në “arrest në shtëpi” dhe 4 në “detyrim paraqitje”, nën akuzë për trafikim të lëndëve narkotike dhe dy prej tyre për “armëmbajtje pa leje”.

Nga dosja e Prokurorisë, mësohet se drejtori i shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, Dashamir Mehmeti ndodhej në oborr të banesës së tij në momentin kur kanë shkuar efektivët e Policisë së Shtetit për ta arrestuar. Por, ai i ka pikasur dhe sipas dosjes, është larguar me vrap duke u hedhur nga avllia e shtëpisë në drejtim të banesave të tjera në lagje dhe duke u humbur nga sytë e uniformave blu.

Gjatë kontrollit në banesë, efektivët e Policisë i kanë gjetur 41-vjeçarit një pistoletë, pranga, tre targa makinash, celularë të ndryshëm dhe dy makina, një Benz GLK dhe një Opel Corsa.

Përveç Dashamir Mehmetit, në kërkim nga Policia janë shpallur edhe 20-vjeçari Orgito Mema si dhe 46-vjeçari
Enis Piro.