Teuta po stërvitet maksimalisht në këtë nisje të fazës përgatitore.Fusha, që ndodhet në Korçë, plotëson çdo kusht të mundshëm dhe stafi ka mundësi të vërë në praktikë idetë e veta gjatë seancave. Java e tretë e rinisjes së stërvitjes do edhe pak ditë të përfundojë dhe vihet re një intensitet i madh nga dita në ditë. Grupi i lojtarëve është duke marrë ngarkesa të shumta nga ana e stafit në të gjitha drejtimet. Në çdo ditë vihet re një avancim në planin stërvitor, që nuk është më i njëjtë si më parë. Për arsye të ndryshme disa nga lojtarët kanë kryer stërvitje individuale e disa të tjerë janë pak hapa pas.

Megjithatë, trajneri Arapi e stafi po e bëjnë gjithçka sa më të lehtë që gjithkush të kuptojë ushtrimet që praktikohen. Një vëmendje të madhe po e merr ana fizike. Pas çdo ndalese stafi përkujdeset edhe për kontrollin e herëpashershëm nëse e përballojnë apo jo fazën e vrapimit.

Gjithashtu, edhe tek ushtrimet me topin rëndësia është e madhe me gjithkënd, që duhet të jetë i saktë në veprime. E veçanta e gjithë procesit stërvitor është se trajneri Arapi dhe stafi i tij ndërhyjnë kur shohin paqartësi vetëm e vetëm që grupi të arrijë pritshmëritë. Faza e deritanishme po shkon mjaft mirë dhe shpresohet që titullarët e mbetur nga sezoni i kaluar dhe përforcimet të harmonizohen plotësisht.

Po ashtu, edhe stafi mjekësor është ipranishëm në çdo moment që ndonjë nga lojtarët ka shqetësime. Mësohet se drejtuesit kërkojnë elementë të kalibrit të lartë që të mbajnë peshën gjatë kampionatit në çdo repart që mund të luajnë. Drejtuesit kanë në plan përzgjedhjen e shumë emrave nga tregu vendës, por dhe i huaj, me këta të fundit që duhet të bindin. Diskutimet midis krerëve të klubit dhe trajnerit Arapi janë të shumta, por duhet pritur deri në konkretizimin e zyrtarizimeve. Është planifikuar që deri në nisjen e sezonit skuadra të jetë e kompletuar.