Pas denoncimit të një qytetari nga Durrësi, i cili përmes pamjeve filmike dokumentoi dëmtimin e një makine si pasojë e një sherri për një vend parkimi, policia e Durrësit sqaron për DurrësLajm detaje nga ngjarja e rëndë.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit, ngjarja ka ndodhur në zonën e Plazhit, pranë një hoteli të njohur. Dy gra janë përfshirë në një grindje mes tyre për shkak të një vendi parkimi për automjetin.
Njëra nga gratë e përfshira në sherr ka pretenduar se në atë vend ajo kishte vendosur një tendë, e për pasojë gruaja tjetër nuk mund të parkonte automjetin. Pas një sherri verbal, gratë kanë kaluar edhe në përdorimin e duarve.
Situata ka degjeneruar edhe më shumë, kur në vendngjarje kanë mbërritur edhe familjarë të njërës prej grave të përfshira në sherr. Aty sherri ka marrë përmasa edhe më të mëdha dhe një pjesë e inatit është derdhur mbi automjetin “shkaktar” të sherrit, të cilit siç duket edhe në pamjet filmike i janë thyer xhamat dhe është dëmtuar.
Pasi kanë shkarkuar të gjithë inatin, palët i janë drejtuar postës së policisë në Plazh, për të bërë denoncimet respektive.
Burime policore sqarojnë se hetimet janë ende në zhvillim e sipër, por pritet të nisë procedimi penal për të gjithë personat e përfshirë në këtë sherr masiv.
Në Durrës është shënuar një rast i paprecedent, kur banorët e të njëjtit pallat janë përleshur mes tyre për një vend parkimi. Shih videon këtu: https://vidnews.net/video/1535637152844
Denoncimi i qytetarit ibërë për JOQ.al:
Përshëndetje JOQ! Këtu nuk jemi në Kabul, por në Durrës.
2 qytetarë që banojnë në të njëjtin pallat janë zënë për një vend parkimi, më saktë për daljen nga parkimi. Makina që shikoni në video kishte bllokuar daljen e makinës tjetër, gruaja shkon tek shtëpia e komshiut për t’i kërkuar që ta largojë makinën sepse i duhej të kalonte, por komshinjtë e kishin masakruar duke e rrahur.
Pas kësaj, familjarët e gruas i kanë bërë këtë masakrim kabulesk makinës mbrëmë.
Po na e shpifin këtë vend dita-ditës!”





