Konferenca për shtyp e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka shkuar si duhet. Në fakt, ajo është ndërprerë, për shkak të disa mosmarrëveshjeve mes Aleksandar Vuçiç dhe Edi Ramës.

Klan Kosova ka mësuar prapaskenat e asaj që ndodhi në Sarajevë:

Sipas agjendës se publikuar nga qeveria e BH, në fund të takimit të sotëm gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të prononcoheshin me radhë në një konferencë për shtyp, së bashku me Komisionerin Johaness Hahn.

Por për çudinë e të gjithë gazetarëve të shumtë, konferenca është ndërprerë kur pas kryeministrit të Bosnjës, si i zoti i shtëpisë, dhe komisionerit Hahn, i ka ardhur radha kryeministri Vuçiç. Sapo është thirrur nga moderataroja për të marrë fjalën, kryeministri serb ka bërë me shenjë nga Edi Rama.

Ky gjest ka lënë të kuptohet se Vuçiç i ka hapur rrugën Ramës për të folur. Ky i fundit, siç merr vesh Klan Kosova, nuk ka reaguar dhe pas kësaj, kryeministri serb është kthyer nga salla dhe ka thënë se mjafton me kaq dhe se nuk ka kuptim të flasin të gjithë. Pastaj ai ka lëvizur nga podiumi dhe kështu kanë bërë edhe mysafirët e tjerë duke shkaktuar acarimin e gazetarëve që prisnin prej më shumë se një ore.

Më pas gazetarë të pranishëm që kanë arritur të kapin diçka nga  një shkembim fjalësh në anglisht mes kryeministrit serb e atij shqiptar, në korridorin që çonte për në sallën e konferencës së shtypit, kanë treguar se Vuçiç, ka thënë me zë të lartë, se ishte përgatitur të denonconte arrestimin e një militanti të partisë së tij në Kosovë. Ky i fundit, sipas shefit të qeverisë serbe, ishte arrestuar sepse kishte në makinë posterat e fushatës elektorale të partisë së kryministrit serb.

Kryeministri Rama mësohet t’i jetë kthyer Vuçiç-it me përgjigjen: “Duhet ta dish, se nëse ti e thua këtë në konferencë unë do të them: ‘Ta kam thënë qe po s’e njohe Kosovën probleme do kesh’! Dhe do t’i sqaroj unë gazetarët qe nuk është e vërtetë që në Kosovë e kanë arrestuar njeriun tënd, por kane sekuestruar posterat e tu, domethënë kanë arrestuar fotografinë tënde”!

Muhabeti rreth “arrestimit të fotografisë” është pritur me të qeshura nga të pranishmit, ndërsa në fund kryeministri Vuçiç ka preferuar ta lë me kaq dhe të evitojë replikën e radhës së kolegut të tij shqiptar. /klankosova.tv