Policia jep detaje mbi zbulimin e disa serave ku kultivohej lënda narkotike kanabis sativa në fshatin Rërëz të bashkisë Dimal.

Drejtori i policisë tha se në serë po punohej prej një muaj dhe gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar 700 arka me kanabis në proces përpunimi si dhe 8 thase me kanabis me peshë totale 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Deri tani janë 11 të arrestuar mes tyre pronari i serës ndërkohë ishin punësuar 90 gra të cilat merreshin me të gjithë procesin e përpunimit të kanabisit, kultivohej, thahej e përpunohej kanabisi.

“Nga veprimet e para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit, rezulton se këto sera kanë shërbyer për prodhimin dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për ambalazhimin e lëndës narkotike, me qëllim trafikimin e saj” deklaroi sot drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Neritan Nallbati

Grate ‘skllave”

Gratë e punësuara nga periferia e Tiranës, Shkodrës e Lezhës qëndronin në kushte tepër të vështira, brenda serës. 

Dhe atëherë kur ato përpiqeshin të largoheshin nuk lejoheshin, tha prokurorja.

“Stuhia”

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat dolën në konferencë për median për megaoperacionin policor të koduar “Stuhia”.

Nga finalizimi i këtij megaoperacioni, në territorin e fshatit Rërëz, u lokalizuan serat për të cilat Policia e Shtetit dispononte informacion se brenda tyre kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, si dhe ambalazhimi i lëndës narkotike.

Shërbimet e Policisë kanë kapur në brendësi të serave, dhe kanë arrestuar në flagrancë 11 shtetas të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale, konkretisht:

– H. D., 36 vjeç (pronari i tokës ku ishin vendosur serat), E. Xh., 30 vjeç, B. Xh., 42 vjeç, S. L., 22 vjeç, J. U., 23 vjeç, M. D., 24 vjeç, S. B., 27 vjeç, B. M., 48 vjeç dhe E. M., 20 vjeç, D. M., 43 vjeçe dhe I. M., 25 vjeçe.

Nga veprimet operacionale të kryera nga shërbimet e Policisë, në kushtet e flagrancës, shërbimet gjetën dhe sekuestuan edhe 3 armë zjarri, konkretisht 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov, të cilat i posedonin shtetasit e arrestuar, B. Xh., H. D. dhe J. U.

Në ambientet e brendshme të serave janë gjetur disa shtetase, nga zonat periferike të Tiranës, të cilat kryenin përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis.

Këto shtetase janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e rolit të secilës prej tyre në këtë veprimtari kriminale”

Sekuestrimi

Në vijim të këtij megaoperacioni, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të serave dhe sekuestruan në cilësinë provës materiale,

• 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis, në proces përpunimi dhe

• 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi, me peshë totale rreth 870 kilogramë lëndë narkotike.

Gjithashtu, nga kontrolli ne brendësi të serave, janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike, 4 automjete dhe një numër i madh aparatesh celulare të shtetasve të arrestuar, si dhe të shtetaseve të cilat u gjetën në sera, duke përpunuar bimët narkotike.

Grup i posaçëm hetimor

Për hetimin e plotë të këtij rasti është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i kryesuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, me specialistët e Drejtorisë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Vijojnë veprimet e thelluara, nga grupi i posaçëm hetimor, për këtë megaoperacion dhe për arsye hetimore, nuk mund të bëjmë me dije, detaje të tjera rreth këtij megaoperacioni.