Një konfrontim fizik ndodhi sot në mëngjes mes nxënësve të fshatit Shënavlash në ambientet e shkollës ku ata mësojnë, teksa mësohet se sherri ka nisur nga rrjetet sociale.

DurrësLajm” mëson se dy grupe të ndryshme të quajtur grupi “Mirdita” dhe grupi “Shënavlash” kanë sharë njëri-tjetrin në Snapchat dhe janë zënë. Ata janë përballur sot në shkollë dhe kanë përfunduar duke u përleshur.

Njëri prej nxënësve 15 vjeç pësoi lëndim në faqe nga gërvishtjet me thonj të fëmijëve gjatë sherrit, por dëmtime të lehta.

Policia informoi zyrtarisht se: “Rreth orës 09:30, në shkollën e fshatit Shënavlash, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin disa nxënës të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç. Me ndërhyrjen e mënjehershme të oficerit të sigurisë dhe stafit pedagogjik, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit. Nga konflikti është dëmtuar lehtë një 15-vjeçar.”

Fatmirësisht ngjarja nuk precipitoi në pasoja më të rënda, pasi kanë ndodhur jo pak herë sherre mes adoleshentëve në rrjete sociale që kanë degjeneruar deri në përdorimin e armëve të ftohta, që kanë çuar dhe në humbje jete, kujtojmë këtu rastin e Martin Canit në Tiranë.