Policia raportoi sot arrestimin e një 39-vjeçari nga fshati Përlat i Durrësit, i cili akuzohet se goditi me send të fortë stafin e shërbimit të Urgjencës dhe autoambulancën që shkuan për t’i dhënë shërbim në banesë.
“DurrësLajm” mëson detaje të reja lidhur me ngjarjen e paprecedentë, e cila është regjistruar mesditën e djeshme kur mjeku i lagjes dhe stafi i urgjencës kanë shkuar në banesën e shtetasit Luan Drizi. Ka qenë vetë 39-vjeçari Drizi i cili ka telefonuar urgjencën duke pretenduar se kishte nevojë për asistencë mjekësore.
Kur shkuan në banesë dhe vizituan pacientin, konstatuan se nuk ishte e nevojshme që 39-vjeçari të shkonte në urgjencë pasi nuk kishte problematika, aty është agravuar situata.
Burime nga urgjenca e Durrësit thanë për “DurrësLajm” se kur iu komunikua ky fakt, ai është acaruar dhe ka sulmuar autoambulancën me sende të forta duke thyer pajisje mjekësore e xhama, ka sulmuar po ashtu ekipin mjekësor si dhe ka sharë mjekun e lagjes.
Këta të fundit njoftuan menjëherë efektivët e policisë, të cilët gjithashtu u kundërshtuan nga 39-vjeçari. Sipas policisë, Luan Drizi njihet si kontigjent problematik.