Janë publikuar në mediat greke pamjet e arrestimit të dy shqiptarëve dhe një italiani gjatë tentativës për të kaluar nga Greqia drejt Turqisë me gomone. Në video duken rojet bregdetare greke që i kanë drejtuar armët personave në gomone. Sipas policisë greke kanë qenë dy gomone që kanë tentuar të kalojnë drejt Turqisë, të mbushura me drogë. Ato u ndoqën nga forcat e turke dhe greke, si dhe nga një helikopter i FRONTEX.

Një nga gomonet është qëlluar me snajper në motor për ta ndaluar, gjatë tentativës për t’u larguar. Dy shqiptarët dhe italiani janë dërguar në postën policore të Mitilinit në Greqi ku po merren në pyetje. Ndërsa operacioni vijon për kapjen e gomones tjetër. Policia shqiptare reagoi lidhur me këtë operacion duke thënë se në gomonen ku u kapën dy shqiptarë nuk kishte drogë. Edhe nga pamjet gomonia duket bosh. Është e paqartë nëse gomonia ka qenë e mbushur me drogë, dhe trafikantët e kanë hedhur në det kur kanë pikasur që po ndiqeshin, apo nëse janë përdorur dy gomone, njëra me drogë dhe tjetra bosh, për të ngatërruar policinë, nëse bëhet fjalë për trafik droge.