Kjo që shihni në foto është argjendaria e grabitur nga dy persona pasditen e sotme, lagjen nr.4 në Durrës.
Mësohet se dy grabitësit nën kërcënimin e armës, kanë arritur të marrin me vete rreth 2 kg flori.
Megjithëse e pozicionuar në qendër të qytetit, në një rrugë ku ndodhen shumë biznese dhe mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Durrësit, grabitësit nuk kanë nguruar të vënë në zbatim planin e tyre, raporton gazetarja e DurrësLajm.
Aktualisht policia ndodhet në ambientet e argjendarisë dhe po heton me kujdes pamjet e kamerave të sigurisë, jo vetëm të këtij biznesi, por edhe atyre aty pranë, për të zbardhur itinerarin e ndjekur nga dy personat pasi janë larguar nga biznesi.
Ndërkohë, bizneset aty pranë janë ndjerë të tmerruar, kur kanë marrë vesh për ngjarjen. Në momentin e grabitjes, në argjendari ndodhej vetëm shitësja, e cila është kërcënuar me elektroshok nga dy grabitësit që dyshohet se janë dy të rinj.
Kjo është grabitja e dytë e regjistruar në Durrës brenda pak ditësh.
Kujtojmë se javën e kaluar, ditën e premte, u tentua të grabitej një bankë e nivelit të dytë në Durrës, nga një person i armatosur me një thikë, i cili kërcënoi punonjësen e bankës.
Por në këtë rast, mbërritja me urgjencë e policisë në vendngjarje bëri që autori, një 24-vjeçar, të vihej menjëherë në pranga.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak.
Më datë 18.04.2018, në lagjen Nr. 4 Durrës, në një argjendari dy persona të paidentifikuar, kanë marrë një sasi bizhuterish dhe janë larguar.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.





