Dy të rinj, mbështetës dhe pjesëmarrës aktivë në fushatën e Partisë Socialiste, u arrestuan mbrëmjen e së enjtes në Kavajë.
Policia njoftoi se arrestimi i tyre ishte kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës së Kavajës, që ditën e enjte kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”. Ata akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit janë Ramadan Shabani dhe Enred Duka, të dy 28-vjeçarë. Por kjo ngjarje, edhe pse në dukje një operacion rutinë e Policisë së Tiranës, është komentuar edhe politikisht, duke marrë shkas nga automjeti me të cilin ata lëviznin në momentin e ndalimit.
Bëhet fjalë për një makinë tip “Audi”, me targa AA 202 NO, që sipas disa qytetarëve të Kavajës, është në pronësi të ish-kryetarit të Partisë Socialiste atje, Gentjan Daja. Të paktën kështu e ka denoncuar në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar “qytetarit dixhital”.
Bashkëngjitur denoncimit, Berisha ka publikuar edhe foto të momentit të arrestimit të dy të rinjve, ku duken forcat e Policisë që kanë rrethuar automjetin tip “Audi”, që sipas Berishës është në pronësi të Gentjan Dajës. E për të përforcuar denoncimin e tij, disa orë më vonë, ish-kryeministri publikoi edhe një fotografi, ku dy të arrestuarit shfaqeshin duke drekuar me ish-kreun e PS-së së Kavajës. Megjithatë, burime nga Policia thanë dje se makina nuk është në pronësi të Gentjan Dajës, por të një qytetari nga Tirana.
ARRESTIMI
Policia e Tiranës njoftoi mbrëmjen e së enjtes se specialistët e Komisariatit të Kavajës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të kryeqytetit kanë bërë të mundur kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Ramadan Shabani, 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe Enred Duka, 28 vjeç, banues në Kavajë.
“Për shtetasit e sipërpërmendur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin e datës 01.06.2017, ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal”, tha zyrtarisht Policia.
DENONCIMI I BERISHES
Pas arrestimit të dy të rinjve në Kavajë, Sali Berisha ka denoncuar në “Facebook” lidhjet e tyre me ish-kreun e Partisë Socialiste atje, duke postuar dy denoncime bashkë me fotografi.
“‘Audi’ i kapur mbrëmë është pronë e Gentjan Dajës, por për arsye që dihen nuk e ka regjistruar në emrin e tij personal, por në emër të shoferit të tij personal dhe të familjes, i cili quhet Bledar Qerosi, i cili ka qenë dhe shofer i Kuvendit në shërbim të ish-deputetit socialist. Në këtë foto Gentjan Daja me 2 djemtë që u kapën me kokainë Rem Shabani dhe Redi Duka”, është denoncimi i parë që Berisha ka postuar duke iu referuar “qytetarit dixhital”.
“Makina e Gentjan Dajës, ‘Audi’ me targa AA 202 NO, drejtohet nga Shabani, i cili është mik i ngushtë i Gentjan Dajës. Fotot më poshtë janë bërë pas aksionit ku u gjet drogë në makinën e kreut të PS”, thuhet në denoncimin tjetër të Berishës./Panorama





