Infermieri i urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka rrëfyer dhunën fizike të ushtruar ndaj tij nga B.Ç, prind i një fëmijë që kishte mbërritur në urgjencë me alergji.
Infermieri i dëmtuar, 25-vjeçari R. K., tha se Çokaj e kishte kërcënuar me jetë dhe e kishte dhunuar brenda spitalit.
Konflikti ka ndodhur rreth orës 01.40, të datës 4 qershor.
Mesditën e 3 qershorit, B.Ç kishte dërguar të birin me alergji dhe ishte konfliktuar me mjekun, pastaj ishte rikthyer në urgjencë në mesnatë, ku është konfliktuar dhe ka goditur për shkak të detyrës infermierin.
Infermieri tha në polici se “ai kishte sjellë djalin në dreke me alergji e kishte bërë llafe me mjekun, pastaj erdhi prapë në darkë. Mua me thirri kolegu se nuk po i vinte dot vigon. I’a vura vigonin djalit, pasi kishte venat e vështira dhe i vura mjekim.”, raporton TvKlan.
Por, ai shtoi se “babai këmbëngulte për t’i bere një gjilpëre fëmijës, për të cilën unë nuk isha në dijeni pasi mjeku ia kishte lënë porosi infermierit tjetër. Unë thjesht po ndihmoja kolegun.”
Babai i kishte kërkuar t’ia bënte gjilpërën, ndërsa infermieri kishte insistuar të pyeste mjekun.
“Aty filloi në sharje dhe ofendime nga me të ndryshmet dhe me kapi nga fyti, pastaj dola jashtë për ta shmangur sherrin, por erdhi më kapi edhe jashtë”, tha infermieri, duke shtuar se 45-vjeçari “më kërcënoi me jetë në mes të urgjencës”.
Infermieri tha se djali duhej trajtuar në pediatri, mirëpo Çokaj kishte refuzuar ta dërgonte atje.
45-vjeçari Bujar Çokaj u arrestua në flagrancë nga forcat e policisë për ofendimin dhe goditjen për shkak të detyrës të infermierit.
Tvklan.al ka siguruar foto të pasojave të dhunës së ushtruar ndaj infermierit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.





