Shijaksi Durim Keçi, i akuzuar si miku i politikanëve të majtë, është liruar nga burgu me vendim të gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.

Burime pranë gjykatës bëjnë me dije se ai i është drejtuar gjykatës me një kërkesë se mbahej me të padrejtë në burg, duke paraqitur edhe vendimet e kryerjes së dënimit në Itali.

Durim Keçi u ndalua në Durrës më 11 tetor të vitit 2017, ndërsa u bë i njohur edhe në debatet mes politikanëve. Kryeopozitari Basha tregoi fotot e tij me deputetët socialistw, duke akuzuar fort se mazhoranca mbante afër kriminelët, ndërsa kryeministri Rama publikoi foto të Durim Keçit që shfaqej te çadra e protestës së demokratëve.

Keçi ëshë dënuar nga Gjykata e Genovës, Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale: “Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike“, ”Krime me armë kundër personit”, ”Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe ”Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar në nenet 338, 81, 342, 635/2, 110, 73 dhe 416 të Kodit Penal Italian.

Në Itali, 42-vjeçari konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm të mafies shqiptare. Madje, gjatë një seance gjyqësore, Durim Keçi, i cili ka përdorur edhe emrin Gëzim Hajidini, ka kërcënuar prokurorët e Antimafias italiane. Duke parë nga prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz, ai tha: “Ata të dy do t’i bëj të ma paguajnë shtrenjtë!

Në vitin 2006 në Itali, ka qenë i pandehur në një proces gjyqësor, por lirohet nga qelia për një gabim burokratik dhe ndaj tij vendoset një masë më e zbutur sigurie. Nga masa e arrestit më burg, lihet në detyrim paraqitje dhe kështu arratiset. Gjatë kësaj kohe, Durim Keçi jetonte në Shqipëri. /BW