48 orë pas vrasjes mafioze të ish-shefit të Krimit Ekonomik të Tiranës 38-vjeçarit Ervin Dalipaj dhe të mikut të tij 27-vjeçar Xhino Dauti, Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila ka marrë në dorë hetimin, ka ndërtuar të gjithë skenën e krimit dhe ka marrë në pyetje rreth 20 persona, si dhe është duke shqyrtuar pamjet filmike.
Ngjarja
Burime të sigurta nga grupi hetimor që po heton vrasjen e dyfishtë kanë bërë me dije për “DurrësLajm” itinerarin dhe kanë hedhur edhe pistat në të cilat po hetohet, ajo e hakmarrjes dhe e konflikteve që mund të kishin dy viktimat me lidhje miqësore ndërmjet tyre. Sipas burimeve, në atentat ndaj Dalipajt e Dautit kanë marrë pjesë dy automjete, një “Audi A3”, dhe një “BMW X5” e zezë.
Nga marrja e një numri të madh kasetash filmike në autostradë, policia ka identifikuar dy makina të dyshimta që kanë qenë në ndjekje të mjetit tip “Audi S8” me të cilin udhëtonin dy viktimat e atentatit mafioz.
Viktimat fillimisht kanë qëndruar në autoservisin i cili është jo më shumë se 300 metra larg prej vendit të atentatit, me një fushë pamje absolute. Në autoservis, Dalipaj dhe Dauti, janë takuar me dy vajza të cilat kishin mbërritur aty me një automjet “Smart”.
Dy djemtë i kanë kërkuar punonjësve të servisit t’i bëjnë një kontoll mjetit të vajzave, sepse të nesërmen do të paraqitej në kolaudim, dhe kontrolli ishte i rëndësishëm.
Vajzat dhe dy djemtë kanë pirë kafe së bashku aty për disa minuta dhe më pas djemtë kanë marrë mjetin e tyre tip “Audi S8”, dhe kanë dalë nga dera e pasme e autoservisit që të nxjerr në rrugën dytësore ose ish-rrugën e vjetër Maminas – Shijak – Durrës.
Sapo kanë dalë nga dera e autoservisit, dy viktimat janë ndeshur me “BMW X5”-n jo më shumë se 15 metra distancë në anë të rrugës. Këtu rruga ka fushë pamje absolute edhe nga pjesa e kodrës ku gjenden banorë në shtëpi të zonës. Dyshohet që rreth 30 metra distancë, për nga kthesa në drejtim të Shijakut, makinën e viktimave e priste “Audi A3” ngjyrë gri.
Fillimisht automjeti i viktimave është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga automjeti “BMW X5” në lëvizje e sipër, ndërsa “Audi A3” i ka prerë rrugën, raporton “DurrësLajm”.
Drejtuesi i mjetit 27-vjeçari Xhino Dauti, është qëlluar fillimisht në krahun e shoferit me breshëri dhe ka vdekur në vend, ndërsa makina në këtë moment është përplasur me një ledh betoni, ndërsa ka dalë nga rruga e asfaltuar, në një shesh jashtë rruge. Ndëkohë mjeti dyshohet se doli jashtë rruge pasi në drejtim balor është qëlluar nga automjeti i dytë i atentatorëve, të cilët janë siguruar që viktimat humbën jetën si rezultat i breshërisë.
Përplasja e “Audit S8”, duket që ka qenë e fuqishme por këmba e drejtuesit të mjetit ka ngrirë e shkelur në gaz pasi ai ka ndërruar jetë. Pas përplasjes, automjeti ka fluturuar lart për rreth 20 metra, duke kapërcyer ledhin e betonit dhe kanalin rreth tre metra të gjerë e të thellë që gjendet në anë të autostradës. Automjeti është plasur në autostradë, aty edhe ku i gjetën të pajetë forcat e policisë. Automjeti që ka qenë me shpejtësi makimale si rezultat i këmbës që kishte mbetur në maksimum në pedalin e gazit, ka fluturuar duke kapërcyer edhe kanalin e rrugës. Makinat e atentatorëve më pas janë larguar në rrugën dytësore në drejtim të Shijakut ose të Durrësit, kjo nuk dihet akoma.





