22 vjeç Anxhelo Avdia ka mbërritur i gjallë në spitalin e Durrësit, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve që mori në atentatin e ndodhur në zonën e Nishtullës, afër tregut të fruta-perimeve. Ai është dërguar në morgun e spitalit. Personi tjetër, 35-vjeçari Dorian Shkoza që ka humbur jetën, ndodhet ende në vendngjarje. Dy të vrarët i përkasin komunitetit rom.

Shokët që kanë shoqëruar në spital Anxhelon kanë thënë se ndaj dy të rinjve është qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.

Policia e Durrësit ka ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona në një perimetër të gjerë.

Pika kontrolli janë ngritur edhe nga DVP Tiranë e Fier në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë.

Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës.

Për zbardhjen e ngjarjes, në ndihmë të grupit hetimor po shkojnë specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.