Nga Shefqet Kërcelli

Sot paradite, data 31 mars, Shoqata e detarëve “ADRIJON” zhvilloi një takim pune në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”. Në takim morën pjesë kryesisht detarë të vjetër në pension dhe drejtues të shoqatës. Fillimisht kryetari i shoqatës Aleksandër Gjermeni, i njohu anëtarët e shoqatës me punën e bërë deri tani për realizmin e disa detyrave dhe objektivave të caktuara në takimin paraardhës në dhjetor të vitit 2016.

Zoti Gjermeni shpjegoi vështirësitë e hasura për regjistrimin e shoqatës mbi bazën e legjislacionit të ri, ku kërkohet dokumentacion shtesë, sic është Akti i Themelimit, emërtimi i ri, ndryshime strukturore që rrjedhimisht kërkojnë një statut të ri. Është shqetësues fakti që shoqata që nga themelimi i saj në Mars 2001, nuk ka një Nr.llogarie dhe NIPT, gjë e cila ka penguar veprimtarinë konkrete dhe aktivitetin e shoqatës, theksoi kapiten Gjermeni.

Ndërkohë kryesia e shoqatës po punon që të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për regjistrimin bazuar në kërkesat e reja dhe zgjidhjen e këtij problemi. Është për të ardhur keq që Durrësi me numrin më të madh të detareve në rang vendi dhe vetë Shoqata e Detarëve nuk vlerëson punën dhe kontributin e detarëve tanë. Përkundrazi ata mund të jenë në shtresat më të diskriminuara këto vite. Që nga elementi i parë, një zyrë ku të mblidhen detarët të kujtojnë lundrimet dhe të qajnë hallet e tyre.

Për këtë detarët kërkuan njëzëri ndihmën e Bashkisë Durrës, e cila ka ambiente bosh, si psh ish-Dyqani i luleve, i cili mund t’i jepet shoqatës së detarëve për të zhvilluar aktivitetin e saj normal. Me këtë veprim Bashkia i bën nder detarëve dhe vetes, se mbi 60% e familjeve durrsake kanë qenë dhe janë të lidhura me detin.

Në vijim të takimit, detarët disktutuan për problemet e mbarëvajtjes së shoqatës dhe shqetësimet e tyre për trajtimin financiar. Kështu detari i vjetër Xhemal Molla ngriti problemin e pensionit qesharak dhe diskriminues të detaarëve në raport me profesionet e tjera.

“Të marrësh 14 mijë lekë të reja, me 42 vite pune në det,- është diskriminim total. Kjo ka ardhur nga mentaliteti dhe koncepti i gabuar për zanatin e detarit, por dhe mungesa e organizimit e kërkesat tona”,tha zoti Molla.

“Në këto takime është mirë që të marrin pjesë dhe detarët që punojnë aktualisht dhe pronarët e tyre, sepse këto probleme që kemi ne sot, do ti kenë ata nesër” nënvizoi detari Molla.

Ndërsa detari i moshuar Galip Dizdari bëri vërejtje për mungesën e pjesëmarrësve.

“Mos të ecet me mendimin se çfarë i jep shoqata detarëve, por të kontribojmë të gjithë nga pak për ecurinë e saj”,theksoi zoti Dizdari. Këtu ka vend dhe për përmirësimin e sistemit të lajmërimit në mbledhje apo evente të tilla.

Ndërkohë detari i vjetër Nexh Allushi, krahas problemit të pensionit qesharak në raport me vitet dhe vështirësitë e punës, kërkoi që në takimet e detarëve të marrin pjesë dhe përfaqesues nga Administrata Detare, Kapiteneria, Dispeceria dhe Regjistri Detar, sepse dhe ata janë detarë, dhe nesër do dalin dhe ata në pension.

“Mos e lemë shoqatën vetëm në dorë të pensionistëve. Nga mos organizimi, problemet trashëgohen dhe kemi ngeleur në vend numuro, sduhet të ketë pritshmëri në zgjidhjen e problemeve jetike të detarëve”, sqaroi zoti Allushi.

Anëtari i kryesisë, zoti Bedin Bedini, foli për rëndësinë e zgjerimit të aktivitetit të shoqatës në rastet e ndërrimit të jetës së marinarëve, të cilët duhet të nderohen dhe respektohen siç i ka hije. Për këtë detarët dhe shoqata duhet të jetë prezente në çdo moment hidhërimi apo gëzimi të tyre.

Gjatë takimit Zoti Gjermeni theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm me institucionet detare, të cilat kanë në shumicë navigatorë, por dhe me Shoqatën e Peshkimit, Ministrinë e Transportit, të Mirëqënies sociale, sigurimet shoqërore, subjektet politike, Universitetin Durrës dhe Vlorë, mediat, etj.

“Ne do këmbëngulim për kontratën e punës të cdo detari dhe ndjekjen e zbatimit të saj. Gjithashtu do shikohet përvoja e vendeve perëndimore si Angli, Itali, SHBA për statusin e detarit, të bëhet përkthimi i tyre e më pas të hartohet Statusi i detarit, që të miratohet dhe në qeveri e parlament. Ky është synimi ynë kryesor”,tha zoti Gjermeni. Por për këtë duhet ndihma e bashkëpunimi i të gjithë detarëve në pension dhe aktivë. 

Gjithashtu në takim u vendos që më datën 7 prill 2017, të zhvillohet një mbledhje e zgjeruar, për të diskutuar më hollësisht shqetësimet kryesore të detarëve, mbi bazën e një pjesëmarrje më të gjerë të tyre.