I gjithë Deti Mesdhe, në këtë fillim vjeshte, ka qenë më i ngrohtë në krahasim me normalitetin.
Sipas shërbimit të monitorimit të mjedisit detar të CopernicusEU, temperaturat e ujit kanë qenë të larta. Kështu në detin Adriatik termometri regjistroi një temperaturë mesatare të sipërfaqes me 22.9 gradë Celsius, 1.7 gradë më shumë se temperatura normale për këtë periudhë të vitit. Më i ngrohtë se mesatarja me 0.8 gradë ishte dhe deti Jon, raporton media italiane RaiNews.
Temperatura të larta u konstatuan në të gjithë Mesdheun pavarësisht se mund të konsiderohen si jo normale për këtë periudhë të vitit.
Sipas meteorologëve italianë, situata nuk është më një rast i izoluar, por reflekton tendencën e ndryshimeve klimatike pasi uji ka qenë më ngrohtë se zakonisht gjatë gjithë muajit shtator dhe fillimit të tetorit. Ndryshime këto që pritet të ndikojnë negativisht në ekosistem, pasi një pjesë e specieve detare do të tentojnë të largohen nga ujërat e ngrohtë drejt atyre më të ftohtë.