DURRËS- Kushtet e këqija atmosferike kanë vonuar ardhjen e trageteve nga Bari në gjirin detar të Durrësit. 

Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur se tragetet “Ionis”, “Rigel” dhe “AF Claudia Prima”, të parashikuar për t’u ankoruar në kalatë në orën 8 të mëngjesit, pritet të mbërrijnë pas mesditës. 

Në brigjet perëndimore të Adriatikut, ne ujërat italiane dhe ato ndërkombëtare, deti ka regjistruar një forcë prej 7 ballësh duke shkaktuar vonesa disaorëshe në nisjen e trageteve nga Bari. 

Era lëviz në drejtimin veri-verilindje me shpejtësi 36 metra në sekondë. Këto ditë të fundvitit kanë regjistruar një fluks të shtuar udhëtarësh në hyrje në portin detar të Durrësit. 

Por gjithsesi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është regjistruar një numër më i ulët emigrantësh që mbërrijnë nga kjo portë kufitare për të kaluar natën e ndërrimit të viteve në vend, Kosovë dhe Maqedoni.